Si karteli i Ballkanit kontrollon trafikun e kokainës përmes “gjigantit” të detit

BOTA


Kur disa javë më parë dy 20-vjeçarë, emri i të cilëve nuk bëhet i njohur, u arrestuan si pasojë e një alarmi fals për një bombë në brendësi të një anije kontejnere që po i afrohej portit të Antverpit në Belgjikë, u mendua fillimisht për një shaka të rinjsh por edhe të kushtueshme, që kishte detyruar gjigantin e detit të devijonte lundrimin dhe t’i i nënshtrohej një hetimi nga organet ligjzbatuese.

Forcat e rendit nuk gjetën asnjë bombë, por nuk i shpëtoi një ngarkesë prej 2.5 tonë kokainë. Autoritetet belge, nuk u surprizuan nga sasia. Porti i Antverp së bashku me Roterdamin e afërt cilësohet nga Interpol si një nga pikat qendrore të narkotrafikut, veçanërisht të trafikut të kokainës, ku vetëm në vitin 2022 janë sekuestruar 160 tonelata kokainë, rreth 5% i prodhimit të kësaj lënde narkotike në botë.

Surpriza, dhe dyshimet më të mëdha nuk vinin nga droga, por nga anija kontejnere. Anija Lorena i përkiste në fakt gjigantit të sektorit MSC, me shumë mundësi lider botëror i transportit detar, një kompani zvicerane në pronësi të familjes napolitane Aponte.

Nuk është hera e parë që një mjet lundrues i kësaj kompanie që faturon dhjetëra miliardë dollarë në vit kapet me një ngarkesë kaq problematike, aq sa pikërisht kjo kompani ka qenë protagoniste i një reportazhi të gjatë të prestigjiozes Bloomberg, që vetëm disa ditë para zbulimit të fundit paraqiste këtë kompani si transportuesen e preferuar, ndoshta e pavetëdijshme, të karteleve të drogës.

Pikërisht një simotër e “Lorenës”, e quajtur Gayane, morri faqet e para të mediave amerikane pasi në 2019 në bord u gjetën 15 mijë konfeksione kokaine me peshë 20 tonë dhe vlere në treg që kalonte 1 miliard dollarët. Zbulimi i përveçëm më i madh i historisë amerikane, që vuri nën shënjestrën e DIA-s kompaninë, që ka mohuar gjithmonë akuzat me arsyetimin se korrupsioni i stafit në bord që lejon ngarkesa të tilla është pothuajse i pakontrollueshëm.

Deri diku, autoritetet amerikane dakordësojnë me këtë qasje, aq sa kompania është gjobitur sipas Bloomberg me një tarifë fikse 1 mijë dollarë çdo oncë kokaine të gjetur (më pak se tre gramë). Deri më tani kompani ai ka paguar rreth 700 milionë dollarë gjobë autoriteteve amerikane.

Por mekanizmi është shumë më i komplikuar, dhe sipas investigimit të Bloomberg rrënjët i ka në Ballkan. Është pikërisht një kartel i formuar nga familje me origjinë sllave, kroatë, serbë dhe malazezë, që kontrollon trafikun duke përdorur këtë kompani. Pikërisht Mali i zi furnizon kompaninë me personel, mijëra të punësuar të kualifikuar, ku një pjesë janë karremi i këtyre organizatave kriminale, kundrejt një pagese që shkon deri në 4500 dollarë në muaj, siç pohoi në gjykatë Aleksandër Kavaja, një nga marinarët që pranuan të bashkëpunojnë me kartelet e narko trafikantëve në anijen Gayane. Përtej rrogës së majme, ai deklaroi se kishte marrë 50 dollarë në dorë. Porti i Tivarit është baza operative e MSC, në 6 mijë marinarë më shumë se 2 mijë janë të punësuar të kësaj kompanie.

Trafiku detar ndërkombëtar, veçanërisht nga Amerika Latine, ka rrit ndjeshëm fluksin me zgjerimin e kanalit të Panamasë, që ka filluar operativitetin në 2016. Për të arritur pikun pak para pandemisë. Por bashkë me ngarkesat e deklaruara, kryesisht të lëndëve të para dhe frutave ekzotike, është rritur ndjeshëm edhe fluksi i kokainës, nga vende si Peru, Kili, dhe Ekuadori.



Skip to toolbar