‘Si manipulohen zgjedhjet’, Politiko dhe Konrad Adenauer botojnë ‘manualin e iliberalëve’

AKTUALITET


Fondacioni gjerman Konrad Adenaur dhe Politiko janë bërë bashkë për të sjellë një shqip librin ‘Si manipulohen zgjedhjet’, një botim origjinal i Yale University Press, me autorë dy akademikë të njohur. Teksti që mund të quhet ‘doracaku i autokratëve’ është një skaner i shkëlqyer i manipulimit të zgjedhjeve në të gjithë botën, nëpërmjet metodave që fillojnë nga gerrymandering në Amerikë dhe deri te intimimdi apo blerja e votuesve në Afrikë dhe në Europën lindore.
I konsideruar si ‘libër i jashtëzakonshëm’, ‘Si manipulohen zgjedhjet’ ka bashkëautorë dy studiues që janë marrë me zgjedhjet për dekada. Nic Cheeseman, Profesor i Demokracisë në Universitetin e Birmingham-it dhe Brian Klaas, studiues i politikave globale në London School of Economics.
Libri botohet në Shqipëri në kohë dilemash të mëdha që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor: qeveria dhe opozita, pas bojkotimit të sistemit nga kjo e fundit, janë duke bërë hapa për miratimin e një reforme zgjedhore, vetëm pak muaj pasi vendi ka parë mbajtjen e zgjedhjeve lokale me vetëm një palë në garë.
Gjithashtu ‘dosja 184’, që ‘dokumenton’ manipulimin e dyshuar të zgjedhjeve në Dibër është kthyer nga SPAK në prokurorinë lokale, e cila e kishte dosjen prej kohësh, por pa e përmbyllur hetimin.
‘Si manipulohen zgjedhjet’ është një libër i rrallë që të bën të kuptosh ‘shkencën’ që gjendet pas armiqve të demokracisë dhe synimeve të tyre për të ndenjur në pushtet duke mos e respektuar parimin e votës së lirë dhe as zgjedhjen e qytetarëve.
Te Si Manipulohen Zgjedhjet, Nic Cheeseman dhe Brian Klaas tregojnë se si zgjedhjet iu mundësojnë udhëheqësve autoritarë që të ruajnë pushtetin, duke nxjerrë në pah arsyet pas këtij kinse paradoksi. Ata zhvilluan idenë e ‘çantës së instrumenteve të diktatorit’ për të zbuluar gjashtë strategjitë kryesore—përfshi shtrembërimin e kufijve elektoralë, blerjen e votës dhe mbushjen e kutive të votimit—që iu mundësojnë udhëheqësve autoritarë që të sabotojnë procesin elektoral dhe të garantojnë fitoren. Duke krijuar zgjedhje me të meta, udhëheqësit shijojnë frytet e zhvillimit të zgjedhjeve, si psh më shumë legjitimitet dhe mbështetje financiare ndërkombëtare, pa kosto.
Ky libër tërheqës dhe provokativ është ndërtuar mbi shembujt globalë të manipulimit zgjedhor, nga Azerbajxhani dhe Bjellorusia te Shtetet e Bashkuara dhe Zimbabveja. Si Manipulohen Zgjedhjet tregon kufizimet e mbajtjes së zgjedhjeve si mënyër për të promovuar demokratizimin, dhe sjellë ide të reja se si demokracia mund të mbrohet më mirë nga shkatërrimi autoritar.

Kanë thënë për librin:
“Cheeseman dhe Klaas i kanë rënë në kokë: në shumë vende zgjedhjet janë një mashtrim. Problemi po përkeqësohet, teksa komuniteti ndërkombëtar lejon që t’i hidhet hi syve. Pasojat për politikën publike janë të rënda dhe do të duhen vite që të ndreqen. Një libër i jashtëzakonshëm’.
Sir Paul Collier Sir Paul Collier, autor i Wars, Guns and Votes
‘I qartë, i fortë dhe ndoshta revolucionar, Si të Manipulosh Zgjedhjet duhet të lexohet nga çdo lexues, aktivist i shoqërisë civile, politikan i opozitës, monitorues zgjedhor, gazetar dhe diplomat që është larguar nga kabina e votimit apo qendra e numërimit i zemëruar, shqetësuar apo acaruar’.
Michela Wrong, autore e It’s Our Turn to Eat

‘Një vështrim konciz dhe depërtues i përse dhe si, një numër i madh qeverish po manipulojnë zgjedhjet, i mbushur me shembuj tregues dhe rekomandime praktike se si aktorët ndërkombëtarë mund të ndihmojnë më shumë në zhbërjen e këtij trendi ndërkombëtar’.
Thomas Carothers, Fondi Carnegie për Paqen Kombëtare.



Skip to toolbar