Nga Josh Lipsky
Brenda 2 javësh, Mbreti Salman i Arabisë Saudite do t’i dorëzojë kryeministrit italian Giuseppe Conte presidencën G20-ës, dhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së Joe Biden do të vëzhgojë nga afër këtë moment. Suksesi i administratës së tij të re, mund të jetë në fije të perit. Sfida themelore me të cilën përballet presidenti i ri amerikan dhe homologët e tij, ka të bëjë më shumë sesa vetëm me paratë dhe punësimin. Ajo ka të bëjë me rivendosjen e besimit në sistemin tonë. Kjo është arsyeja pse opsioni i vetëm i zbatueshëm për Biden, është një axhendë ambicioze ekonomike ndërkombëtare, sipas modelit Bretton Woods në fund të Lu ftës së Dytë Botërore. Një axhendë që të përqendrohet në përdorimin e burimeve financiare globale, për t’i dhënë shans çdo qytetari, dhe për të rindërtuar “arkitekturën”e tregtisë ndërkombëtare. Në vitin 2009, në mesin e krizës financiare globale, administrata Obama–Biden, punoi me aleatët për të ngritur G20, me synim koordinimin e një reagimi ekonomik të paparë më herët. Në Londër, udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës, e siguruan pjesën tjetër të globit se ndihma ishte gati,dhe angazhuan një shtesë prej 5 trilionë dollarësh në shpenzime. Secili nga vendet e përfaqësuara e kuptoi atë që duhej të bënte më tej, nga reforma bankare në SHBA, tek një mënyrë më e shpejtë për të akorduar ndihmën fiskale në Evropë.
Mjerisht, reagimi ndaj pandemisë së Covid-19 ka qenë shumë më i fragmentuar. Ndërsa vendet po bëjnë më shumë në stimulimin fiskal dhe lehtësimin monetar, mungesa e përparësive të përbashkëta po e pengon rimëkëmbjen e shpejtë. Deri tani nuk ka asnjë përgjigje globale, vetëm një seri reagimesh kombëtare. Por kjo mund të ndryshojë në vitin 2021. Imagjinoni takimin e parë të ministrave të financave dhe bankierëve qendrorë në Romë vitin e ardhshëm. Pika e parë në rendin e ditës, do të jetë koordinimi i shpërndarjes së vaksinës anti–Covid. Vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, kanë nevojë për një raund të ri të lehtësimit të borxheve por edhe për një ndihmë ndërkombëtare, që t’i ndihmojë ata të menaxhojnë një nga problemet më komplekse logjistike në historinë e njerëzimit. SHBA duket të ketë prioritet sigurimin se e gjithë bota do të ketë qasje tek vaksinat. Kjo do të vërtetonte premtimin e presidentit të zgjedhur ndaj udhëheqësit botërorë se “Amerika është rikthyer”.Ndërtimi i imunitetit ndaj koronavirusit mund të zgjasë një vit, dhe aktualisht ka miliona njerëz në të gjithë botën që vuajnë nga ky virus. Prandaj G20 duhet gjithashtu të dërgojë mesazhin e duhur për huatë dhe shpenzimet. Me norma të ulëta të interesit dhe inflacionin e zbutur, tani është tamam koha e duhur për të bërë investime jetike mbi infrastrukturën e gjelbër, kujdesin shëndetësor dhe arsimin, të cilat do të përshpejtojnë rritjen ekonomike gjatë dekadës së ardhshme por edhe më tej.
Thënë ndryshe, të mos përsëriten më gabimet me politikat e kursimit të viteve 2010.Rezultatet do të flasin shpejt për veten e tyre. Një nga gjërat që kemi mësuar gjatë krizës së fundit, është se shpenzimet e sinkronizuara kanë një efekt shumëzues, ku e tëra është më e madhe se shuma e pjesëve të saj. Nëse G20 mund të ketë një “Moment të Romës”, që të përputhet me “Momentin e Londrës” 11 vite më parë, bota do të jetë më e zhvilluar në krye të 1 viti. Fatkeqësisht, kjo është pjesa “e lehtë”. Ajo çka vjen më pas, është dhënia e shembullit që ta ndjekin të tjerët. Administrata Biden, mund të përballet me një Kongres që mund të mos ketë kurrë farë gatishmërie për të ndihmuar në miratimin e propozimeve më ambicioze, edhe pse kompromiset për çështje të tilla si paketat financiare anti–Covid, kujdesi për fëmijët dhe transporti janë shumë të arritshme. Por edhe nëse negociatat prishen në Capitol Hill, presidenti i ri mund të gjejë një aleat në anën tjetër në Pennsylvania Avenue. NëUashington tani diskutohet shumëse si do jetë marrëdhënia midis kreut të Rezervës Federale Jay Powell (mandati aktual i të cilit mbaron në vitin 2022), dhe një presidenti Biden që mund të diktojë të ardhmen ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe botës. FED ka treguar tashmë fleksibilitet të jashtëzakonshëm në zhvillimin e mënyrave inovative, për të dhënë para atje ku është e nevojshme. Bota do të marrë sinjalet e saj nga Rezerva Federale. Nëse Evropa dhe Japonia shohin një Rezervë Federale të orientuar drejt veprimit në vitin 2021, ky do të jetë një sinjal se kriza nuk është hedhur tashmë pas krahëve, dhe se më shumë para duhen për të shpëtuar ekonomitë që gjenden në ngërç.
Dhe këtu mund të ndihmojë administrata Biden, duke punuar me aleatët për t’i treguar botës se vetëm për shkak se PBB-ja dhe çmimet e kapitalit të tyre po rikthehen në nivelet e para krizës, kjo nuk do të thotë që ne jemi duke dalë nga kriza. Kësaj here shenjat e rimëkëmbjes duhet të jenë niveli i pabarazisë, punësimi i të rinjve,grave, pakicave dhe rruga që duhet ndjekur për të ndihmuar të gjitha grupet që janë goditur veçanërisht rëndë nga krizat e viteve 2008 dhe 2020. Cila do të jetë trashëgimia e krizës së Covid, në rast se nuk arrijmë të veprojmë këtë herë? Rreziqet janë edhe më të mëdha. Besimi tek kapitalizmi demokratik po lëkundet, dhe modeli autoritarist kapitalist i Kinës po duket gjithnjë e më i suksesshëm. Kjo është arsyeja pse vetëm rimëkëmbja nuk mjafton. Administrata Biden ka premtuar të ndërtojë sërish më mirë, dhe nuk ka vend më të mirë për t’ia nisur sesa tregtia globale.
Që në ditën e parë, administrata Biden mund të sinjalizojë angazhimin e saj ndaj multilateralizmit. Hapi tjetër do të ishte zgjidhja e çështje delikate prej dekadash si mosmarrëveshja e subvencionit Boeing–Airbus, dhe angazhimi në negociata tregtare rajonale me Britaninë, Bashkimin Evropian dhe partnerët e SHBA-së në Paqësor. Ne kemi nevojë për politika që promovojnë tregtinë e shërbimeve dhe atë elektronike, një pjesë gjithnjë e më kritike e ekonomisë sonë globale edhe para pandemisë. Të gjitha këto përpjekje mund të ndihmojnë në rivendosjen e besimit dhe forcimin e Shteteve të Bashkuara si brenda dhe jashtë vendit. Do të ishte e kuptueshme, që duke pasur parasysh realitetin e një Kongresi të përçarë, një administratë Biden të mendojë të bëjë pak gjëra. Por kjo do të ishte e gabuar. Në frontin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm, koha kërkon ambicie kolosale.