Si planifikoi Leonard Duka vrasjen e Vis Martinajt në mes të Dhërmiut

AKTUALITET


Leonard Duka, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos në vitin 2019, është ekstraduar nga Belgjika këtë të premte.

Nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, Dukës i është caktuar masë arresti me burg për vrasjen e ish-efektivit, por edhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

Santiago Malko, ish-punonjës i Policisë së Tiranës, mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar. Ngjarja ndodhi në zonën e Porcelanit në rrugën “Xhanfize Keko” kur drejt makinës së 26-vjeçarit Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Leonard Duka mori famë dhe vëmendje pas përplasjes me ish-mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Nga miq, ata u kthyen në armiq të përbetuar, duke thurur plane për eliminimin fizik të njëri-tjetrit.

Atentati i planifikuar në plazhin e Dhërmiut

Ervis Martinaj ishte planifikuar mes të tjerash të vritet nga Fatmir Hyseni (Doqja) dhe “Klani Duka” në mes të sezonit veror, në zonën e Dhërmiut. Ai u ka shpëtuar disa atentateve dhe planeve të rivalëve, por siç del në dosjen e SPAK, në ditët e fundit të korrikut 2020 e ka shpëtuar fati.

Leonard Duka kishte siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të ishte në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si “Vin Bakalli”, Hotel Jaht ose Splendor dhe këtë ia ka bërë me dije Fatmiri Hysenit. Sapo ka marrë informatat, “Doqja” është vënë në lëvizje.

Ai ka dërguar një person që i drejtohet me emrin “nipçe” për të shkuar në atë zonë që të verifikonte këtë informacion. Gjithashtu edhe në datat 28-29 dhe 30 korrik 2020, Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni kanë angazhuar persona për monitoruar zonën e plazhit Dhërmi-Himarë me qëllim konstatimin e shtetasit Ervis Martinaj. Njëkohësisht janë angazhuar duke siguruar logjistikën, armë, automjete dhe banesa në atë zonë me qëllim realizimin e vrasjes.

Një nga personat e angazhuar për lokalizimin e Ervis Martinaj në zonën e Dhërmi-Himarë ka qenë dhe shtetasi Drianto Bardhi, i cili ka udhëtuar drejt asaj zonë bashkë me një person tjetër ende të pa identifikuar dhe atje janë takuar edhe me personin që Fatmir Hyseni i drejtohet me emrin “nipçe”.

Megjithatë, është e paqartë se çfarë ka ndodhur që ky plan ka dështuar, por referuar dosjes hetimore nuk ka vazhdimësi të këtij plani. Si për koincidencë, Ervis Martinaj u zhduk dy vite më pas, në të njëjtën periudhë të vitit, por në 2022.

Martinaj futi në kurth Dukën me vajza, si u zbulua plani

Pas dështimit të planit për të vrarë Ervis Martinaj në jug të vendit në ditët e fundit të korrikut 2020, Leonard Duka siguron informacion se rivali i tij kishte angazhuar disa femra që të afrohen me të me qëllim nxjerrjen e tij në pritë.

Leonard Duka menjëherë ia tregon këtë fakt Fatmir Hysenit dhe angazhohen për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin. Në këtë planifikim kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka, ku ky i fundit do të luante rolin e “karremit” i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.

Vëllai i Leonard Dukës, Erlis Duka për t’i paraprirë të gjitha ngjarjeve dhe në kuadër të angazhimit për t’u kthyer nga karrem në ekzekutor, është takuar me një personin “Sandri” i cili dyshohet se është pronar i objektit që do të kryhet takimi i Leonardit me femrat dhe i ka kërkuar të fikë kamerat. Shtetasi Fatmir Hyseni kishte rolin e ekzekutorit dhe ka udhëtuar nga Vlora është dislokuar në Tiranë bashkë me persona të tjerë ende të pa identifikuar, kanë sjellë edhe logjistikë (armatim dhe automjete që do përdoren për largimin nga vendi ngjarjes).

Ndërkohë, shtetasi Altin Gega do të pozicionohej diku për vëzhgim me qëllim njohjen e personave që do të afroheshin për vrasjen e Leonard Dukës. Këtë rol do ta kryente Altin Gega pasi ai i njihte të gjithë personat që ishin lidhje e Ervis Martinajt dhe në këtë mënyrë ekzekutorët nuk do të kishin lajthitje në objektiv, sipas dosjes së SPAK. Altin Gega gjithashtu do të kishte edhe rolin e personit që do t’i priste ekzekutorët që t’i largonte nga vendi i ngjarjes mbas kryerjes së vrasjes.

Shtetasi Drianto Bardhi do të përdorte një motoçikletë bashkë me një person tjetër ende të pa identifikuar dhe kanë pasur rolin e vëzhguesit dhe ndjekjes së personave që do të afroheshin me qëllim vrasjen e Leonard Dukës. Vetë ky i fundit dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ngritur dyshime që për të kryer vrasjen e tij ditën e takimit me femrat, do të angazhohej shtetasi Erigers Mihasi i njohur me pseudonimin “Boli” dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin “Olci”, sipas dosjes së SPAK.

Leonard Duka me datë 12.08.2020 ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin, por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.

Duke qenë se ky plan dështoi, anëtarët e Klanit Duka janë angazhuar për vrasjen e Eriger Mihasit dhe personit tjetër që ata dyshonin se do të ekzekutonin Leonard Dukën. Referuar fashikujve të SPAK, menjëherë pas dështimit të planit të mësipërm, Leonard Duka, Fatmir Hyseni, Erlis Duka, Altin Gega, Drianto Bardhi dhe personave të tjerë ende të pa identifikuar organizohen me qëllim vrasjen e shtetasve Erigers Mihasi dhe personin që i thërrisnin “Olci”.

Ata janë organizuar duke siguruar logjistikën, përcaktuar detyrat dhe kryerjen e veprimeve aktive. Vrasja e shtetasve Erigers Mihasi dhe personit që i thërrasin “Olci” nuk është realizuar për arsye objektive dhe të pavarura nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, thuhet në dosje.

Ndërkohë, edhe sot e kësaj ditë, Ervis Martinaj, një ndër njerëzit më të fuqishëm të krimit në vend, rezulton i zhdukur pa gjurmë. Për zhdukjen e tij janë hedhur shumë hipoteza, nga aleanca e grupeve kriminale për ta hequr qafe, e deri te mundësia që ai të jetë tërhequr vetë nga aktiviteti, për shkak të ofensivës së madhe të rivalëve.



Skip to toolbar