SHQIPËRI- Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, e ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla foli për sigurinë ushqimore dhe për rastin e ngarkesave me mandarina, ku një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht nga vendet e tjera.
Ajo theksoi se në sistemin e raportimeve bën pjesë dhe Shqipëria, e cila ka gjetur dhe ka njoftuar ngarkesa problematike, nga fqinji ynë jugor, Greqia. Ajo theksoi se nga 924 ngarkesa me mandarina, vetëm katër prej tyre janë kthyer.
Denaj u shpreh se sistemi i autokontrollit duhet ta kryejnë sipërmarrësit pasi janë ata të cilët marrin produktin dhe e shpërndajnë në vende të tjera.
“Është një mundësi për të dhënë edhe për mandarinat dhe këto alarme që ju thoni. Ne jemi pjesë e një sistemi, ku raportojmë dhe marrim raportime dhe nuk marrim raportime vetëm për produktet tona, që i analizojmë dhe i kthejmë. Rastet e fundit kanë ndodhur nga fqinji jonë Greqia. Në rastin mandarinave, nga 924 ngarkesa, janë kthyer vetëm katër ngarkesa. Sistemi i autokontrollit është një përgjegjësi e sipërmarrjes”, tha Denaj.
Ajo theksoi se krahas inspektimeve në terren, duhet të rritet edhe ndërgjegjësimi i fermerëve për ruajtjen e sigurisë ushqimore.
Sipas ministres Denaj, janë marrë të gjitha masat dhe priten ndëshkime penale për cilindo nga fermerët, i cili kapet duke abuzuar me sigurinë ushqimore.
“Për vitin e kaluar janë kryer 111 mijë inspektime dhe kjo është mjaftueshëm për të ngjallur frikës. Unë nuk besoj te frika, para se të besoj te ndërgjegjësimi. Ne kemi sot autokontrollin dhe kështu është dhe në Evropë. Është ndërgjegjësimi i fermerëve se çfarë pesticidesh përdorin. Agronomi e kontrollon. Nuk mundesh që për shtatë fermë që mund të kanë përdoru një produkt të tillë të hedhes të gjithë produktet e 924 ngarkesa në kosh të plehrave. Sigurisht, janë për ndjekje penale. Këto janë masa të marra brenda dy ditëve, kur ka ndodhur rasti. Rregullat nuk mund të përcaktohen nëpërmjet letër, nuk mund të jenë vetëm nëpërmjet inspektimeve, ata duhet të jenë efektive dhe duhet që fermeri të kuptojnë që i ka ikur koha përdorimit të çdo produkti, që nuk është i lejuar dhe nuk është i certifikuar. përpjekjet për të përmirësuar të gjithë gjurmueshmërinë sot është fakt. Rasti ne nuk na tremb, se siç na raportojnë, edhe ne raportojmë. Të çojmë deri në ndjekje penale, të bëjmë shembull këdo që përdor produkte, të cilat janë të palejuar. Nuk mundet që me katër apo pesë raste të përgjithësojmë të gjithë fermerët”, tha ajo./abcnews.al