I mërzitur për humbjen por i bindur se ka bërë zgjedhjet e duhura. Ky ishte Edi Reja pas disfatës së kombëtares së Shqipërisë kundër Lituanisë në Ligën e Kombeve. Trajneri i skuadrës kuqezi pranon se rivalët ishin më lart, teksa tregon “fajtorin” për paraqitjen e dobët nga të besuarit e tij.
“E prisnim që do të ishte një ndeshje e fortë. Por kundërshtarët ishin shumë më mirë fizikisht. Nuk lejuan hapësira dhe na e bënë akoma më të vështirë. E kam thënë që nga dita e parë se lojtarët tanë nuk e kanë përgatitjen e duhur fizike. Gjithsesi, u munduam të bënim më të mirën dhe kishin 2-3 raste që nuk i shfrytëzuam. Për fat të keq gabuam në golin e Lituanisë dhe humbëm. Kjo ishte nga ato ndeshje, që kur e sheh vetën në vështirësi duhet të minimizosh dëmet. Pra të përpiqesh të mos e humbasësh”, është shprehur Reja.
Moduli dhe përzgjedhja e futbollistëve kanë qenë temë e debatit që pas fitores në transfertën e Bjellorusisë. Reja pranon kritikat, por nuk tërhiqet pas. Edhe sikur të kthehej në kohë do të bënte të njëjtën gjë. “Nuk do të ndryshoja. Kritikat qëndrojnë dhe i pranoj pas një humbje. Por mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Lashë pushim Baren pasi shpenzoi shumë në ndeshjen e parë. Por Laçi bëri një paraqitje të mirë, ashtu si Mihaj. Edhe lojtarët që u futën në pjesën e dytë dhanë më të mirën, por për fat të keq Roshi u dëmua”, ka vijuar tekniku.
Reja kërkon të shohë përpara me optimizëm dhe pret që koha të jetë aleate e tij. Deri në sfidat e ardhshme të tetorit, tekniku shpreson që futbollistët të kenë më shumë minuta në këmbë. “E thashë edhe më parë se pranoj kritikat. Tani duhet të mendojmë për të ardhmen. Besoj se pas një muaji do të jemi ndryshe, pasi lojtarët do të nisin sezonin me skuadrat e tyre dhe do të jenë më mirë fizikisht”, ka thënë trajneri i Shqipërisë.