Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi se në momentin e nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, në rajon ishin 2962 shtetas shqiptarë.
Në një seancë dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme, Hoxha u shpreh se janë kontaktuar nga ministria 2511 shtetas.
Hoxha shtoi se po punohet për largimin e shqiptarëve nga vija e luftës.
“Në fillim të konfliktit, ne kemi pasur 2962 shtetas shqiptarë në rajon. Këta janë me qëndrim të përhershëm. Këta njerëz jetojnë atje me familjet e tyre. 543 shtetas me qëndrim të përkohshëm. Ambasada ka kontaktuar 2511 shtetas individualisht. Një për një, emër për emër. U kemi marrë numrat, u kemi dhënë numrat tanë, email, të na kontaktojnë nëse duan. Të interesuar për t’u larguart janë 138 shtetas, të asistuar për të larguar, do mundohemi të organizojmë transport. Janë larguar individualisht 45 shtetas.
Vështirësia më e madhe në Iran, ka shqiptarë atje, por nuk jemi të pranishëm atje. Kemi qenë në marrëdhënie me Kryqin e Kuq në Shqipëri dhe Gjysmë Hënën e Kuqe në Teheran. Përfaqësitë janë duke regjistruar rezidentët që duan të largohen. Ne i kemi kërkuar Iranit, kemi qenë vendet pararojë, kemi qenë të qartë, lidhur me kërkesën për të ndalur armë bërthamore dhe raketat balistike. Kemi pasur ndjeshmëri të veçantë nda protestave në Iran “, theksoi ai.
