Nga momenti i goditjes së fortë të regjistruar nga tërmeti, Instituti i Gjeoshkencës ka shënuar 320 lëkundje në 20 orë, të cilat kanë shënuar magnitudë të lartë megjithëse kanë qenë në rënie në rënie, por që ende mund të jenë të rrezikshme. Për këtë arsye, sizmiologët bëjnë thirrje se duhet pasur vëmendje sidomos në pallatet që kanë pasur dëmtime. Tërmetin që goditi Shqipërinë pasditen e djeshme, sizmologët e konsiderojnë më të fortin në 40 vitet e fundit, pas atij të 15 prillit te vitit 1979 në Shkodër.
Sipas të dhënave nga Instituti i Gjeoshkencës, tërmeti ka qenë me magnitudë 5.8 Rihter dhe me ndjeshmëri mbi 7.5 ballë në Tiranë dhe Durrës. Epiqendra e tërmetit ka qenë 30 kilometra në veri të Durrësit në bregdet afër kepit të Rodonit. Sizmologët thonë se pas goditjes së parë të fuqishme të orës 16:04, deri në mbrëmje janë regjistruar më shumë se 130 lëkundje, por me intensitet më të ulët, megjithatë u bëjnë thirrje qytetarëve për vëmendje.
Sizmologu Rexhep Koçi tha për ABC News se fenomeni i pasgoditjeve është i njohur dhe u shpreh se trendi goditës i tërmeteve ka qenë në ulje. “Të dhënat që kemi deri më tani në regjistrimin e të gjitha pasgoditjeve ka treguar që numri i ngjarjeve është shumë i lartë, por fuqia e tyre ka ardhur duke u reduktuar. Ajo që mund të themi është që nga ngjarja kryesore e regjistruar në orën 16:04 e deri paraditen e së dielës janë regjistruar 320 ngjarje. 2 ngjarje kanë qenë me magnitudë 5 e sipër, ajo kryesorja me 5.8 dhe një tjetër pas 12 minutash me magnitudë 5.3. Pastaj me magnitudë 5 deri në 4.2 kanë qenë rreth 3 ngjarje. Nga 4.2 deri në 3 janë 18 ngjarje. Të gjitha ngjarjet e tjera që i bie rreth 300 ngjarje janë nën magnitudë 3. Nën 3 edhe dëgjohet edhe nuk perceptohet nga njerëzit”, shpjegon sizmiologu Koçi.
Sipas tij, ky është një fenomen i njohur që çdo ngjarje pasohet me një numër të konsiderueshëm pasgoditës. “Të gjitha ngjarjet që po flasim, mbase nuk janë lokalizuar të gjitha se është e pamundur që 320 ngjarje të lokalizohen për 15 orë. Ato që lokalizohen janë përqendruar nga Durrësi deri në Kepin e Rodonit. Kjo është zona më e nxehtë për sa i përket aktivitetit sizmik. I gjithë territori shqiptar është i shquar për një aktivitet sizmik të lartë pjesa e kufirit perëndimor të territorit tonë është një brez që ne e quajmë brez sizmogjenik të fuqishëm, por vitin e fundit, duke filluar nga 4 Korriku i vitit të kaluar dhe deri në momentin që ne flasim është e vërtetë që kjo zonë ka pasur disa episode tërmetesh”, tha Koçi.
Ndërkohë, ai sqaron se periudha pastërmetore nuk është se ka ndonjë rregull të definuar që do zgjasë kaq muaj. “Aq më i fuqishëm është ngjarja sizmike aq më e shtrirë në kohë është aktiviteti sizmik pas tërmetit kryesor. Kjo do dojë mbi disa muaj që të stabilizohet. Trendi ka qenë ulës. Rreziku kryesor është fashitur. Ajo që do i rekomandonim njerëzve, por edhe më shumë, instancave është që të gjitha banesat që manifestojnë një shkallë të lartë të dëmtimit nuk duhet të vizitohen nga banorët dhe të tjerët se janë të rrezikuara që të bien edhe nga një lëkundje shumë e vogël”, tha Koçi.
Si maten tërmetet: Çfarë janë 5.8 dhe 7.5
Kurse inxhinieri dhe ish-politikani Bashkim Kopliku, përmes një mesazhi në “Facebook” ka treguar me detaje se si maten tërmetet, ndërsa sqaron edhe ndryshimin mes magnitudës dhe ballës. Sipas tij, magnituda është një madhësi që përcakton tërmetin në qendrën e tij, ndërsa balla është forca e lëkundjes.
Kopliku shpjegon që magnituda është një madhësi që përcakton tërmetin në qendrën e tij, pavarësisht se llogaritet mbi bazën e matjeve nga shumë larg Qendrës (nga disa stacionet e vrojtimit, që kanë pajisje me sismografë etj., duke marrë parasysh edhe distancën etj.). Pra, tërmeti dje ishte “5, 8 gradë të shkallës Rihter”. “Intensiteti përcakton efektin e tërmetit në një vend të caktuar. 6 apo 7 ballë, ishte intensiteti, pra efekti në Durrës i atij tërmetit me magnitudë 5.8 të shkallës Richter, që ishte 1 km, apo 30 km larg”, tha Kopliku. Pra sipas shpjegimit të matjes, tërmeti ka qenë me magnitudë 5.8 i shkallës Rihter, ndërsa forca goditës ka shkuar deri në 7.5 ballë në Tiranë dhe në Durrës.