Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Në seancën e mbajtur për zëvendësimin e masës së sigurisë, avokatët e tij kërkuan masë më të lehtë sigurie, por GJKKO e ka hedhur poshtë me argumentin se “nuk plotësohen kushtet”..
GJKKO-së iu kërkua zëvendësimi i arrestit me burg me një masë tjetër në liri, për t’i mundësuar Fredi Belerit betimin si kryebashkiak i zgjedhur nga qytetarët e Himarës.
Ai mbahet në arrest prej 12 majit të këtij viti pasi u arrestua për blerjen e votave të 8 qytetarëve kundrejt 40 mijë lekëve.
Avokati i mbrojtës i tij tha se sot, GJKKO tregoi se nuk ka fuqi përballë pushtetarëve, duke theksuar se Beleri po qëndron në burg me urdhër politik.
“Nuk ka pasur biseda të regjistruara për blerje votash, e dimë se ku do shkoj dhe pse është një gjykatë e fortë, nuk është e fortë përpara pushtetarëve. Beleri ka kërkuar që të shkojë të marrë detyrën, nga gjykata u shkruaj bukur arsyetimi ku tha se ‘rrëzohet se nuk plotësohen kushtet’”, tha avokati.