Duke nisur nga dita e sotme, (6 janar) 472 aplikime për shërbime kalojnë online. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë nismë të qeverisë së tij “revolucion digjital”, ndërsa ka vizituar nga afër zyrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit për të parë nisjen e ditës së parë të punës. I shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, drejtoresha e AKSHI-t dhe e QKB-së, ai tha se nga sot regjistrimi i bizneseve do të bëhet vetëm në pak minuta online.
“Vetëm pak minuta online në kompjuter apo celular, duke klikuar vetë nga kudoqoftë (brenda ose jashtë vendit) ose me një ndihmë të parë në sportel, përmes e-albania.al, mund të kryen procedurat e nevojshme që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë. Ky proces rrënjësisht transformues do të lehtēsojë ndjeshëm sidomos biznesin e vogël, duke i hequr qafe shpenzimet e ecejakeve dhe biznesin nē tërësi natyrisht”, është shprehur kryeministri i cili ka theksuar se procesi është mjaft i thjeshtë dhe zgjat vetëm pak minuta.
“Nga sot do ta keni të mundur ta bëni punën pa ardhur këtu fare, mjafton të hyni te portali, tek QKB të bëni aplikimin dhe nga sot nuk do të keni nevojë të sillni dosjet që keni në duar, ku të ketë dokumente shtetëror, pasi të gjitha do të duhet ti marrë për ju vetë QKB-ja dhe kështu në shërbimet e tjera. Ju thjeshtë duhet të aplikoni dhe të vendosni dokumentet private. Pastaj përgjigjen e merrni në kohë, regjistrimin e biznesit e bëni në pak minuta”, tha Rama.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj tha se qytetarët do të asistohen për të mësuar mënyrën e aplikimit.
Por si mund të bëhet një aplikim online?
Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online.
Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin. Ky proces transformues rrënjësor sipas kryeministrit do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim si dhe do të shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe do të eliminojë masivisht ryshfetin.
Ndërkohë që në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë online 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime.