Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagon pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për skandalin e publikimit të pagave të mbi 600 mijë qytetarëve shqiptarë.
Teksa Rama e cilësoi këtë një lëvizje të qëllimshme për të krijuar destabilitet, Basha u shpreh në një deklaratë nga selia blu se pas nxjerrjes së pagave të shqiptarëve fshihen patronazhistët.
“Edi Rama filloi me patronazhistët, sistemin që ai ndërtoi në funksion të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Ju e dini se denoncimet tona atëherë përfshinë dhe vjedhjen e të dhënave personale. Të dhënat më sensitive të qytetarëve, marrë nga Drejtoria e Tatimeve, apo përmes të dhënave të tjera të disponueshme nga qeveria, i ishin vënë në dispozicion shtabit të partisë. Këtë gjë e di fare mirë Edi Rama. Kur thotë se janë marrë si copa-copa, konfirmon denoncimin tonë. Skandali i rrjedhjes së të dhënave, është konfirmim i skemës kriminale të krimit elektoral të sistemit të patronazhistëve. Edi Rama e di këtë, dhe kjo është arsyeja pse i mbron publikisht ata.
Patronazhistët i pret ndjekja penale, madje dhe dënimi me burg, në një shtet normal. Në veçanti ata që kanë ideuar dhe skenuar skemën e vjedhjes së të dhënave personale dhe publikimin e tyre. Është skandaloze, do ishte skandaloze edhe po të ndodhte para 12 apo 13 vitesh, kur morëm ftesën për në NATO. Është dyfish skandaloze sot, sa i takon aftësisë së vendit për të mbrojtur të dhënat personale. Është skandaloze, sepse vjen pas një sërë skandalesh që kanë përfshirë këtë qeveri, që në fillimet e qeverisjes”, u shpreh kryedemokrati Basha.