Koreja e Veriut tha se ka testuar një raketë anti-ajër “të zhvilluar rishtazi”.
Sipas agjencisë verikoreane të lajmeve KCNA, prova u krye të enjten.
Raketa ka një “performancë të jashtëzakonshme luftarake” dhe përfshin teknologji të reja, tha KCNA.
Ditë më parë, Koreja e Veriut tha se ka testuar edhe një raketë të re hipersonike, e cila besohet se ka aftësi bërthamore.
Muajin e kaluar, ajo ka testuar edhe raketa lundrimi me rreze të gjatë veprimi dhe raketa balistike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se testet e tilla “krijojnë shanse më të mëdha për paqëndrueshmëri dhe pasiguri”.
Phenjani thotë se armët e tij janë të nevojshme për vetëmbrojtje dhe e akuzon SHBA-në dhe Korenë e Jugut për “standarde të dyfishta”.
Shteti komunist, tash e sa vite, është nën sanksione ndërkombëtare për armët e tij bërthamore dhe programet e raketave balistike./REL