Social-demokratët fitojnë zgjedhjet, por jo shumicën në Danimarkë. Kush është politikani “kingmaker”

BOTA


Socialdemokratët danezë, të udhëhequr nga kryeministrja Mette Frederiksen, kanë dalë forca e parë në zgjedhjet parlamentare, por pa siguruar shumicën për të qeverisur, duke e futur vendin në një situatë të paqartë politike, ku gjithçka tashmë varet nga lëvizja e liderit centrist Lars Løkke Rasmussen.

Ky i fundit, me partinë e tij Moderatët ka marrë një rezultat befasues dhe është kthyer në “kingmaker” të skenës politike daneze; rezultati përfundimtar tregoi një garë të ngushtë mes bllokut të majtë dhe atij të djathtë, me 84 mandate për “të kuqtë” dhe 77 për “të blutë”, ndërkohë që pragu prej 90 deputetësh për shumicën nuk u arrit nga asnjëra palë, duke e bërë të domosdoshëm krijimin e koalicioneve të reja.


Në këtë ekuacion politik, 14 mandatet e Rasmussen janë çelësi që mund të përcaktojë nëse Danimarka do të drejtohet nga një qeveri e majtë, një koalicion i djathtë apo një formulë e re kompromisi qendrore.

Frederiksen, e cila është në pushtet që nga viti 2019, arriti të mbajë vendin e parë pavarësisht një rënieje të ndjeshme të mbështetjes elektorale, duke zbritur nën 22% dhe duke rrezikuar një nga rezultatet më të dobëta historike për socialdemokratët.
Megjithatë ajo arriti të kufizojë humbjet falë një kombinimi faktorësh, përfshirë një qëndrim të fortë në politikën e jashtme dhe një retorikë të ashpër ndaj emigracionit. Fushata e saj u ndikua ndjeshëm edhe nga tensionet ndërkombëtare, veçanërisht deklaratat e Donald Trump mbi Groenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, të cilat i dhanë asaj mundësinë të shfaqej si një lidere e vendosur në mbrojtje të sovranitetit kombëtar dhe të forconte pozitat në sondazhe.

Nga ana tjetër, për të frenuar rritjen e së majtës radikale, Frederiksen propozoi politika sociale si taksimi i miliarderëve për të financuar arsimin publik, një ide që u kritikua nga kundërshtarët si “taksë e zilisë”, por që duket se ndihmoi në ruajtjen e një pjese të elektoratit tradicional. Ndërkohë, e majta radikale arriti një rezultat të mire, duke u renditur e dyta me rreth 11%, ndërsa e djathta ekstreme gjithashtu shënoi rritje të ndjeshme, duke e fragmentuar më tej peizazhin politik.

Në këtë skenar të ndërlikuar, të gjitha sytë janë drejtuar nga Rasmussen, ish-kryeministër dhe politikan me përvojë, i njohur për pragmatizmin e tij dhe aftësinë për të bërë kompromise, i cili tashmë duhet të vendosë nëse do t’i bashkohet kampit të majtë, duke mbështetur Frederiksen për një mandat të ri, apo do të orientohet drejt një aleance me të djathtën. Vendimi i tij pritet të përcaktojë jo vetëm përbërjen e qeverisë së ardhshme, por edhe drejtimin politik të Danimarkës, në një moment të ndjeshëm për Evropën dhe për balancat ndërkombëtare.



Skip to toolbar