Sokol Balla: “Beteja e Beogradit”, që nuk mbaron kurrë

AKTUALITET


Nga Sokol Balla

Kanë kaluar 10 vjet, që kur ai avion, me skuadrën kombëtare dhe 80 shqiptarë të tjerë u nis në 14 tetor 2014, drejt Beogradit, pa e menduar kurrë se do ishin 20 orë që do shënoheshin në histori.

Federata kishte bërë shumë lëshime. Kosova as nuk diskutohej që duhet të dëgjohej apo shfaqej. Një “marrëveshje” kishte shmangur edhe flamujt kombëtarë. Më saktë, ne nuk duhet të mbanim flamuj kuqezi me vete. Por jo vetëm kaq. Nuk lejoheshin as shallët sportivë që kishin të shkruar Albania dhe stemën e FSHF. Kjo, pasi në atë stemë ishte dhe shqiponja kuqezi. Sot, mendoj se federate serbe, trajtoi Shqipërinë, ashtu siç Spanja trajton Kosovën: si një vend që nuk e njeh. Por bëhej fjalë për Shqipërinë, që në skuadrën e saj kishte më shumë lojtarë nga Kosova sesa nga Shqipëria. Mendoj që Federata jonë bëri gjithçka për të shmangur çdo përgjegjësi nga incidentet që pala serbe, mezi priste që të krijoheshin. Por kjo krijoi klimën e rëndë me të cilën u nisëm, e që shkaktoi menjëherë “krismën” e parë në aeroportin ‘Nikola Tesla’. Skuadra kombëtare u rrëmbye nga forcat e sigurisë dhe u nda nga gazetarët, familjarët e lojtarëve dhe nga tifozët e paktë që kishin marrë guximin e çmendur për të qënë në një ndeshje, që u shndërrua në luftë. Njëri prej tyre, ishte para meje në radhën e kontrollit të pasaportave. Pashë që nxori një shall Albania me stemën e FSHF. I thashë të mos e nxirrte. Të paktën jo në sytë e policëve serbë. Por ishte vonë. Pasi mori vulën në pasaportë, ai eci dy hapa dhe vuri shallin në qafë. Ndërsa polici vuloste pasaportën time, tre të tjerë ju vërsulën tifozit shqiptar, ia shqyen me dhunë nga qafa dhe e përplasën pas murit. Polici serb që ndërkohë e kishte vulosur pasaportën time, ma hoqi nga dora dhe e futi në sirtar, pavarësisht protestës sime. Lufta tashmë kishte filluar.

Ndeshja zhvillohej vetëm pak orë pas mbërritjes në Beograd dhe të gjithë do niseshim menjëherë pas mbarimit, nga stadium në aeroport. Por tashmë gazetarë, familjarë e tifozë ishin bllokuar në aeroport dhe policët serbë, refuzonin të na jepnin pasaportat dhe rreth 40 vetë ishim bllokuar në hapësirën e ngushtë të kontrollit të pasaportave. Me dhunë fjalësh dhe xheste arbitrare, na shtynë në një anë të sallës së vogël. Telefonova ministrin e jashtëm dhe e vura në dijeni, ndërsa i dërgova edhe një mesazh kryeministrit. Më pas u lidha live me edicionin e lajmeve të TV ku punoja dhe raportova situatën e paprecedentë. Bllokimi jo thjesht po na linte pa parë ndeshjen, por ndoshta edhe po e rrezikonte atë. Të vetmit që u lejuan të kalonin, ishin tre gazetarë të një televizioni kombëtar. I mori ambasadori shqiptar. Kur e pashë, pata një shpresë që çështja po zgjidhej. Por ai nuk kishte ardhur për të gjithë. Një prej gazetarëve i tha ambasadorit edhe për mua. Një polic serb erdhi me pasaportën time në dorë. Të tjerët, tifozë e familjarë futbollistësh po na shihnin si të mpirë. “Po këta të tjerët? “, i thashë ambasadorit. Ktheu sytë i pafuqishëm, as t’i fliste policëve serbë, të cilët e shtynin dhe i bënin thirrje të largohej. Mendova sesa turp duhet t’i vinte këtij burri, që nuk arrinte te mbronte as dinjitetin e vendit të vet, në sy të dy policëve të tërbuar nga prania e disa shqiptarëve. I thash që nuk do vija, nëse nuk vinin të tjerët. U kërrus e uli kokën, aq poshtë, sa iu duk si një bisht mes shalëve. Filluan të më merrnin në telefon televizionet e tjera. Më pas sërish një telefonatë e tensionuar me ministrin e jashtëm: praktikisht po mbaheshim peng. Ambasada na braktisi. Një polic serb ma bëri të qartë: po ndëshkoheshim për shallin Albania dhe se do të qëndronim të izoluar derisa të vinte ekipi pas ndeshjes e të ktheheshim me ta. Njoftova presidentin e Federatës dhe ai më tha se ishte në komunikim me Federatën serbe dhe se po e konsideronte këtë, një provokim. Me pak fjalë, lajmi u bë ndërkombëtar. Braktisjes po i vinte fundi. Por a do luhej ndeshja?

Pasi kaluan gati dy orë dhe mbeteshin diçka më shumë se dy të tjera nga shkelmimi i topit të parë, diçka lëvizi. Nga kryeministri erdhën sinjalet e para se ndoshta do na lejonin, por si? Transporti ishte parashikuar me Kombëtaren, por ajo kishte ore që kishte mbërritur në hotelin Crowne Plaza. Aty do merrnim biletat ose akreditimet. Befas, një polic me uniformë tjetër, këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza, na e bëri me shenjë ta ndiqnim. Nuk lëviza, por ndërkohë ministri i jashtëm më mori në telefon dhe më tha që gjithçka ishte ok. Thjesht duhet të shmangim incidente të tjera. Polici me këmishë të bardhë ulëriste fort, si për të treguar se ishte ai në komandë. Dha urdhër të rreshtoheshim për një, dhe të futeshim në një autobus, nëse nuk gaboj, me ngjyrë blu. Ndoshta ishte autobus policie, por sot pas 10 vjetësh nuk jam më i sigurt. Por masat e sigurisë ishin të mëdha, a thua se ishim ose të burgosur të rrezikshëm, ose huliganë. Por ne thjesht ishim disa shqiptarë të çmendur që donim të shihnim ndeshjen e shekullit të Kombëtares sonë…

Ndërkohë në sfondin e muzgut të Beogradit, u shfaq ndërtesa e kuqe e Crowne Plaza. Makthi mbaroi? Befas autobusi, makinat e policisë para e pas, ndaluan rreth 250 metra larg hyrjes së hotelit. Nga makina para doli “shefi”. Me zërin e zvargur dhe të trashur nga cigaret dhe urrejtja për shqiptarët, iu drejtua serbisht katër policëve që udhëtonin me ne: “Vërini rresht për një. Meshkujt zhvishini nga mesi e sipër. Pasi t’I hapni bagazhet, në rresht për një e me duart lart, të ecin deri te hoteli”. Serbishtja ime modeste, nuk më la në baltë, në momentin e duhur. Policët morën të parin, personin e “incidentit”. I hapën çantën, ja hodhën dy plaçka që kishte në tokë dhe tentuan t’i hiqnin tutën e sipërme. U hodha poshtë. Nuk di sesi iu afrova “shefit” të policëve pa u goditur prej tyre, por di që i ulërita në vesh: “Ne nuk jemi hebrenj, që ju të na trajtoni si nazistët në kamp përqendrimi. Ne jemi shqiptarë dhe ti nuk guxon të na prekësh me dorë!” U kthye i çmeritur që i fola në gjuhën e tij dhe gjëja e parë që i shkoi ndër mend në trurin e tij ishte pyetja nëse isha nga Kosova. Nxora pasaportën dhe ja hodha te këmbët. Jo i thashë, jam nga Tirana, por jam prapë shqiptar. Ah se harrova, edhe gazetar! M’u afrua afër fytyrës, por në këto raste, unë e di se nuk ke çfarë humb më, përveç fytyrës. Dhe në këto raste, asnjëherë nuk e kam lënë fytyrën time, ta përdhosin forca e dhunës, e uniformës apo e armëve. Qëndroi disa çaste duke më vështruar. Besoj ishte në dijeni të situatës. Si zakonisht rrëmujën e bejnë publike gazetarët dhe për incidentin e aeroportit, unë isha “fajtori” dhe ai me siguri e dinte. Hungëriu dy sekonda. Ju kthye policëve të vet: “Shoqërojini deri te dera e hotelit por mos i prekni me dorë”. Shtyu me këmbë pasaportën time ne tokë dhe më tha në anglisht, pa më parë në sy: “Do të të duhet në stadium. Pa të, do ta shohësh ndeshjen në autobus”.

Në hollin e hotelit takoj Armando Dukën. Reflektonte qetësinë që mungonte. Mos u mërzit me tha, shko merr akreditimin. Diku ulur në barin e hotelit, pashë lojtarë e ish lojtarë shqiptarë e dy serbë. Të gjithë kishin luajtur ose luanin së bashku në klubet e Serie A. Situata duket ishte e acaruar edhe jashtë e kudo. Ajo që ndjemë në aeroport ishte vetëm një shkëndijë e zbehtë e asaj që na priste. “Fishekzjarrët” e vërtetë na prisnin në stadiumin e Partizanit të Beogradit, dikur i njohur me emrin JNA Stadion (Jugoslovenske Narodni Armije), ose stadium i ushtrisë. Ishte stadiumi më i vjetër i Beogradit dhe me infrastrukturën më të vjetër. Të kujtonte një stadium të Amerikës Latine dhe tubi i futjes së lojtarëve bëhej nga ana e zonës më të rrezikshme: pikërisht në tribunat e pasme ku rrinin ultrasët e Partizanit të Beogradit. Kjo thuajse do të provohej fatale pak minuta më vonë për lojtarët tanë.

Autokolona e plotësuar edhe me ne, u nis me shpejtësi drejt stadiumit. Ndeshja do niste jo me shumë vonesë. Lojtarët tanë do bënin më pak nxemje, por sa më shumë kohë kalonte e ndeshja afrohej, aq më pak filluam të besonim se kjo do ishte thjesht një përballje dy ekipesh futbolli.

Në hyrje të stadiumit, policia ndau autobusin e ekipit, që u fut nga pjesa para e stadiumit, ndërsa ne, nga hyrja VIP. Policë civilë na kontrolluan pasaporta, bileta e akreditime. Policë të tjerë të veshur me uniforma ninja, rrinin në oborr. “Shefi” ishte i vetmi që na shoqëroi deri poshtë tribunave. Në fund u afrua tek unë: “Jemi në rregull tash?”, më foli shqip. i shtangur e pyeta nëse ishte shqiptar? “Jo, por jam nga Kosova. Të gjithë policët këtu, janë nga Kosova. Dhe flasin shqip”, pastaj u kthye dhe iku, i sigurt që unë e kisha kuptuar se ai jo më kot e kishte ndarë këtë informacion me mua.

Për pak minuta u ndjeva entuziast. Dukej sikur një pjesë të ndeshjes e kishim fituar pa nisur. Nuk na kishin ndaluar e penguar dot. Ngjitem te ballkoni i lozhës ku do rrija unë, bashkë me disa gazetarë të tjerë. Lozha të cuditshme. Me parmakë të lartë e thuajse të izoluara nga pjesa tjetër e stadiumit. Baton Haxhiu zgjati kokën i pari, por menjëherë filluan sharjet. Pastaj ne të tjerët, duke marrë të njëjtën ngjyrë “mirëserardhjeje”. Sharje të tjera pasuan shpalosjen e flamurit shqiptar në fushë, sipas protokollit të UEFA-s. Tërbimi serb po arrinte nivelet maksimale. Në stadium kishte një miks, që në kushte të tjera do quhej normal: burra, gra, fëmijë e të moshuar. Por shtanga. Të gjithë në kor filluan të ulërinin: “Ubij Shiptaru”. Thirrjet për të vrarë shqiptarët, shoqëroheshin me një fyerje shekullore që ata bëjnë. Është një fyerje me sens racor, për të treguar se bëhet fjalë për dy raca të ndryshme, dhe se ata janë “superiorët”. Ivana, një gazetare serbe e seksionit të tyre në BBC, më pat shpjeguar se “shiptari”, serbët thërrisnin shqiptarët e Kosovës. Por atë 14 tetor 2014, për ta, ne ishim të gjithë “shiptari”. Pak minuta më vonë, në fakt do tregonim se ishim të gjithë SHQIPTARË.

Ato 20 minuta deri kur u shfaq droni, ishin si një makth dhe si një dramë, që pabesueshmërisht luhej në një teatër real. Nga himni që këndohej mes një klithme shtazore të 30 mijë serbëve për të vrarë shqiptarët dhe ulërimës së tyre dëshpëruese për të na kujtuar se kujt i perkiste Kosova. Pastaj një ulërimë që nuk ndaloi kurrë ato 20 minuta, deri në momentin kur një gjuajtje me kokë e Canës, përfundoi një goditje nga këndi për ne. Befas m’u kujtua se ishte e njëjta portë ku Sokol Kushta i shënonte Partizanit të Beogradit në vitin 1989, me një goditje që më pas do ta kopjonte Del Piero. Kthej kokën te lozha ngjitur. Sokol Kushta, 25 vjet më i madh, shihte e zgjaste kokën nga parvazi. Tersi i serbëve, ishte kthyer në “vendin e krimit”. A thua vallë mund të ishte edhe ky sërish momenti ynë?

Në këtë moment, në stadium ra heshtja. Një dron u shfaq mbi portën e serbëve, dhe mbante një copë të varur mbi të. Por prozhektorët e fortë nuk të linin të shihje qartë se çfarë ishte shkruar në të. Korneja u gjuajt, topi u shqelmua jashtë zonës nga mbrojtesit serbë drejt qendrës së fushës, por aty kishte mbërritur më parë droni me simbolet tona Autoktone. Një mbrojtës serb e shkuli nga droni dhe tentoi ta grisë. E pa të pamundur dhe e mblodhi dhe tentoi ta hidhte jashtë fushës. Por Bekim Balaj dhe një tjetër lojtar i yni, ja rrëmbejnë nga duart. Gjatë përpjekjes për ta çuar te stoli ynë, u sulmuan nga lojtarë dhe nga rojet e sigurisë. Njëri prej tyre goditi lojtarët tanë me një karrike druri. Në këto sekonda pashë një njeri që nxorri krahët e fluturoi disa metra lart. Pastaj u lëshua poshtë e nxorri thonjtë e shkabës së zezë me dy krena dhe ju lëshuar tre serbëve, njëri pas tjetrit, duke i plandosur përtokë. Thonë se heronjtë kështu shfaqen në legjendë. Por unë nuk po shihja një shfaqje teatri, por një dramë reale Ballkani. Heroi ishte një lojtar futbolli. Ai quhej Lorik Cana. Në plandosjen përtokë të tre serbëve, ai tek pullë mori hakun e një populli të përgjakur dhe një kombi të ndarë përgjysëm. Ai mori dinjitetin e nëpërkëmbur të vendlindjes së tij dhe e vendosi në vend, me guximin e çmendur të Azem Galicës e Vojo Kushit. Stadiumi ngriu, ose më saktë ngrinë serbët. Ne 80 të tjerët mbajtëm frymën në arenën ku gladiatorët tanë morën jetët e tyre dhe i varën në duart e fatit dhe të urrejtjes më të dhunshme që kishim parë ndonjëherë. Me duart në kokë ulëritëm kur pamë sesi mbi lojtarët tanë që futeshin te tubi pranë ultrasëve serbë, fluturonin karrike, tuba hekuri dhe gurë betoni të shqyer nga shkallët e stadiumit. Por më pas duart në kokë I mbajtëm për t’u ruajtur nga gurët e betonit që filluan të na hidheshin nga poshtë. Një shi pa fund u duk, por vetëm disa sekonda. Befas dyert e lozhave u hapën dhe një palë duar të forta më tërhoqën e me përplasën në korridorin e ngushtë të stadiumit. Ndjeva duhmën e cigares dhe erën e djersës që dilte nga uniforma ninja e një polici serb. “Mos lëviz prej ktujit. S’munemi me ju siguru jetën as ju as vedit tash”, më foli polici duke dihatur rëndë. “Shefi” më kishte thënë të vërtetën. Për 20 minuta u mbrojtëm nga trupat e policëve serbë, që kishin ardhur nga veriu i Kosovës. Ndeshja u ndërpre nga dhuna e serbëve. Stadiumi u zbras me shpejtësi dhe shpejt aty mbetëm vetëm ne te korridori lart. Ne dhe ninjat serbe.. Na kishte kapur një eksaltim i çuditshëm. Kush ishte ai trim që I kishte shkuar ndërmend t’i sfidonte serbët në shtëpi? Por kishim mijëra pyetje. Po lojtarët? Celularët nuk punonin, por erdhi lajmi se kishte disa prej tyre të lënduar. Serbëve u kishte kaluar hutimi. Në kokat e tyre ishte kthyer tërbimi. Duhet gjetur fajtori me çdo kusht. Befas ninjat u larguan. Sinjali i celularëve ishte kthyer dhe filluam të merrnim lajmet e para. Një gazetar Kosovar lexoi në një portal serb se dyshimet kryesore janë mbi Olsi Ramën. “Nje person me emrin Olsi Rama flitet se është shfaqur me një aparaturë të madhe në dorë dhe ajo mund të ketë qënë telekomanda e dronit!” Olsi dhe një shoku i tij, së bashku me presidentin e Partizanit, ishin te grupi që kishte ardhur për të parë ndeshjen. Pyeta ku eshtë dhe më drejtuan te një lozhë, por kur hapa derën pashë se lajmi kishte mbërritur para meje. E gjej te ulur në një karrike, me këmbët e shtrira dhe fytyrën pak të zbehtë. Në dorë i varej një aparat fotografik nga ata profesionistët. Ja pra “telekomanda” që përmendte portali serb. Por menjëherë kuptova se ky “informacion” i sajuar, ishte “kopsitur” nga dikush që ishte me ne. Kuptova zbehtësinë e Olsit. Kishte ardhur për të parë një ndeshje futbolli e tani po i linin barrën e një incidenti ndërkombëtar, politik, etnik e diplomatik. Besoj ajo natë në Beograd, do të ketë qënë e para kur ka realizuar peshën e rëndë të mbiemrit që mbante. Ishte vëllai i kryeministrit dhe e kuptoi këtë në rrethana dramatike.

Dola nga lozha dhe dikush nga larg ma bëri me shenjë. Katër policë serbë po vinin drejt lozhës ku ishte Olsi. Futem Brenda. Pranë tij ishte Spartak Braho dhe Nard Koka. U them se me shumë gjasë policët serbë po vinin te lozha e Olsit. Nardi më tha se do mbante derën, ndërsa unë duhet të flisja me ta. Spartaku i shtrëngoi krahun Olsit.

Ai mbylli derën dhe kur dola, ndjeva stola e karrike të tërhiqeshin me forcë pas saj. Tre policë para dhe një pas u afruan.. “Cfarë po bëni?”, u thashë ndërsa me kujdes u dola para. “Kush je ti?”. U thash që jam gazetar shqiptar dhe i pyeta kë kërkoni. “Kush është Olsi Rama?” ua ktheva me pyetje nëse e njihnit kush ishte. Jo fizikisht, por kush ishte si person. “E kuptoni që po kërkoni vëllain e kryeministrit shqiptar?” Komandanti ngeli: “Olsi Rama është vëllai i Edi Ramës???” tunda kokën në shenjë pohuese dhe i ftova me qetësi të mos bënin një gabim që do rrezikonte të shtonte tensionin. Më tha se dyshohej se ai kishte telekomandën e dronit. I thash se Olsi kishte vetëm nje aparat fotografik të madh. Kërkoi ta shikonte aparatin. I rashë derës dhe u thashë të më jepnin aparatin. Polici serb e mori, e pa, kontrolloi fotot, hodhi një vështrim Brenda lozhës dhe pa folur ma ktheu. Olsi vazhdonte të rrinte ulur, ndërsa koka e Narit u zgjat me një vështrim të egër dhe gati t’ja përplaste serbit derën në fytyrë. Polici serb i nguli sytë, sikur donte t’ja regjistronte mirë fytyrën. Më pas foli në radio në një cep, pastaj tërhoqi dhe policët e tjerë e u largua.

Kaloi pak kohë dhe ndërkohë ne të gjithë filluam të gjallërohemi dhe të bëjmë foto me sfondin e boshatisur të stadiumit. Më pas policët ninja na bënë shenjë t’i ndjekim nga pas dhe sërish na mbuluan me mburojat plastike, ku fjala Milicija ishte shkruar me gërma cirilike. Zbritëm poshtë te hyrja VIP, mbi të cilën ironikisht ishte shkruar në serbisht fjala e mirëserardhjes: “Dobrodoshli”. I gjithë grupi filloi të bënte foto me dy gishtat lart. Kishim “fituar” një ndeshje në rrethana nga më të pamundurat. Nga fusha, e deri te lozhat. Policët nxituan të na fusnin në autobus. Ndërkohë në autobusin e Kombëtares pamë të futen lojtarët tanë. Dikush ishte i fashuar. Një punonjës I federatës filloi të na tregonte se beteja kishte vazhduar. Edhe në ambientet e brendshme. Mes kapitenit tonë, vëzhguesit e arbitrit famëkeq britanik. Por sot këto detaje kanë pak rëndësi. Rëndësi ka që Cana ishte treguar kapiten i vërtetë dhe profesionist, edhe në këtë fazë të betejës së Beogradit.

Ndërkohë hipëm të gjithë në autobus. Po bëheshim gati të niseshim. Por polici serb që kishte ardhur te lozha, iu afrua sërish autobusit te dytë ku ishim ne. Thirrën Nard Kokën. E futën brenda në stadium sërish dhe sërish ankthi zgjati gati gjysmë ore, ndërsa Armando Duka mundohej të ruante qetësinë në oborr. Më fund Nardi i shoqëruar nga dy policë, hyri në autobus, pa harruar si gjithmonë t’u hidhte atyre një vështrim tallës dhe të buzëqeshur. Në aerport ishim vetëm ne. Te check-in përqafoj Sokol Kushtën. Dhe i them se u provua sërish se ishte tersi i serbëve. Në duar kishte topin e ndeshjes, që një dreq e di si e kishte gjetur. Bëra foton me të, që mendoj është nga fotot që nuk do ta harroj kurrë. Ndërsa kthehemi në Tiranë, në Rinas dëgjoheshim britmat e mijëra vetëve që kishin dalë në anën e Terminalit VIP, të prisnin heronjtë kuqezi të betejës së Beogradit. Ne të tjerët ndezëm nga një cigare dhe vetëm, atëherë realizuam se 14 tetori 2014, kishte dy orë që na kishte lënë. Por te ne ai nuk do të largohej asnjëherë. Në ato momente thjesht mendova se ankthin që kisha ndjerë ato 12 orë, nuk i kisha provuar ndonjëherë në jetën time. Tani shumëzoji ato 12 orë me dy, pastaj me 365 e pastaj me 100. Ose me 200. Shifra me 6 zero është vetëm koha në numra e zgjatjes së vuajtjes së një populli. Ne e provuam vetëm 12 orë dhe ndiheshim të plakur disa vite.

Një muaj më vonë u ktheva sërish në Beograd. Kësaj radhe me vëllain e madh të Olsit. Në sallën e madhe të pallatit presidencial, pyeta presidentin Vuçiç nëse realisht po hetonin vëllain e Edi Ramës për ngjarjet e stadiumit, ndërsa vëllain e Olsit nëse i kishte kërkuar Vuçiç të njihte pavarësinë e Kosovës. Përgjigjet dihen. Rindjemë tensionin e stadiumit, por jo dhunën e gurëve dhe të fyerjeve serbe. Por ama ndihej padurimi i tyre për t’i dhënë fund një vizite, që kishte ardhur në kohën më të paduhur për ta. Me thënë të drejtën këtë padurimin e ndanim edhe ne.

Prej nëntorit 2014, nuk jam kthyer më kurrë në Beograd dhe nuk di nëse do kthehem atje sërish. Do lë rrugën e Shkodrës të habisë të huajt, që nuk e kuptojnë sesi një qytet shqiptar mund të jetë emri i një rrugice serbe. Apo sesi këtu jetoi ndoshta aktori më i madh shqiptar i të gjitha kohëve. Natyra njerëzore është shpeshherë e pashpjegueshme. Sfidon të pamundurën. Reagon fort përballë frikës së vdekjes. Ngre një Flamur shqiptar në mes të Beogradit. Nxjerr krahët e fluturon si Lorik Cana. Tallet me tifozët serbë si Nard Koka. Flet shqip, me shqiptarët. Si “shefi” i policëve serbë: “A jemi në rregull tash?”.

Ndruaj, se nuk do të jemi kurrë.



Skip to toolbar