Sokol Balla: Këmbanat bien përgjatë Klonit

AKTUALITET


Nga Sokol Balla

Ndërsa mbërritën në Shqipëri, në vjeshtën e vitit 1997, të dërguarit e Patriarkanës Ortodokse të Stambollit sigurisht që nuk e prisnin reagimin e ftohtë të palës shiptare. Berisha dhe njerëzit e tij janë larguar dhe bashkë me të edhe periudha e mospranimit të njerëzve grekë në kishat shqiptare. Por ndërtesa e Presidencës ka mbetur sërish një kështjellë e pamarrë nga njerëzit e Bartolomeut. Presidenti e kishte axhendën e ngjeshur, ndërsa kur ata deshën ta takonin, sepse Meidani njoftoi se do të nisej në Strasburg. Kështu thotë këshilltari Preç Zogaj, ndërsa shtypi i përditshëm shqiptar, e interpretonte mospritjen e grekëve, si një vazhdim të politikës së vjetër të Berishës. Ish-Presidenti gjatë mbretërimit të tij ishte shndërruar në flamurtar të konfliktit greko-shqiptar, pikërisht për shkak të shpalljes non grata të tre mitropoliteve greke dhe përpjekjeve të pafund për të përzënë Janullatosin. Që në 1992 tre mitropolitet ishin “hirinosur” ose shuguruar funksionarë të kishës ortodokse në Korçë, Berat e Vlorë. Por edhe pas pesë vitesh dhe pa Berishën, ata nuk do munden të vijnë në Shqipëri. Kastriot Islami në emër të qeverisë Nano u komunikoi te derguarve te Bartolomeut, “gjëmën”, që për ta ka qenë disi e papritur: “Vendimi i qeverisë është që në krye të Kishës Autoqefale ortodokse shqiptare, të vihen priftërinj shqiptarë”. Ishte ky akti më i fundit i një përplasjeje, që kish nisur që në vitin 1991, kur në kufirin jugor kloni kishte humbur vlerën, kufiri kish nisur të kalohej nga shqiptarët, ndërsa këmbanat e kishave ortodokse prej disa muajsh kishin nisur të zgjonin besimtarët dhe t’i ftonin të luteshin në emër të krishtërimit që vinte me fytyrë greke…

Ardhja e Janullatosit, fillimi i konfliktit

Më 24 qershor 1992, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike zgjodhi si Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Mitropolitin e Andruzës, Imzot Anastasin. Gjithashtu, zgjodhi edhe Arqimandritët Kristodulus Mustakas si Mitropolit të Korçës, Aleksandros Kalpakidis si Mitropolit të Gjirokastrës dhe Ignatios Triandis si Mitropolit të Beratit, Vlorës e Kaninës.
Deri atëherë, Kryepiskopi Anastas ishte që nga janari i vitit 1991 Eksark Patriarkal në Shqipëri ose me fjalë më të thjeshta, rindërtues i Kishës shqiptare, që për shkak të mbretërimit të regjimit komunist, kish humbur cilësitë e një kishe autoqefale. Me këtë cilësi kishte punuar brenda në Shqipëri nga korriku 1991, sapo iu dha leja e hyrjes për riorganizimin e Kishës Ortodokse nga shkatërrimi i plotë që kishte shkaktuar persekutimi ateist, pothuajse pesëdhjetë vjeçar.
Kur u njoftua zgjedhja, Imzot Anastasi, duke njohur klimën e disfavorshme që sundonte, shpjegoi se para çdo veprimi të mëtejshem do të duhej të ekzistonte marrëveshja me Qeverinë Shqiptare, sepse pa pëlqimin e saj nuk do të ishte e mundur të vendosej Sinodi i Shenjtë i përbërë prej shtetasish të huaj dhe të ecte normalisht rimëkëmbja e Ortodoksisë në Shqipëri.
Më 2 korrik të vitit 1992, një delegacion Patriarkal, i përbërë nga tre Mitropolitët e Fronit Ekumenik, Evangjellos i Filadelfias, Melitoni dhe nga At Ilia Katri, përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës nën juridiksionin e Patrikanës së Stambollit, vizitoi Tiranën. Fillimisht shkoi në Sekretariatin për Çështjet e Fesë dhe më pas te Presidenti Sali Berisha. Delegacioni i dorëzoi Presidentit një dhuratë dhe një letër mirësjelljeje të Patriarkut Ekumenik, Bartholomeu, me anë të së cilës Tërëshenjtëria shpjegonte kuptimin e zgjedhjes së Sinodit dhe siguronte për karakterin e tij ekskluzivisht fetar. Qëndrimi i Presidentit qe kategorik. Ai shprehu pakënaqesinë e tij, sepse ishte injoruar qeveria shqiptare në vendimin konkret të Patriarkanës Ekumenike dhe deklaroi se për asnjë arsye nuk ka për të pranuar që i tërë Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të përbëhej prej hierarkësh grekë.
Patriarkana humbet sërish duelin me shtetin shqiptar mbi çështjen e mitropolitëve. Qeveria refuzon kërkesën e vjetër dhe debatin, ndërsa nuk jep një zgjidhje reale. Greqia e konsideron problem shqiptar, ndërsa kisha një çështje të brendshme kanonike. Me të fundit Tirana nuk është dakort e ndërhyn, por mohon se prej saj marrëdhëniet mes dy vendeve mund të acarohen.

BERISHA “PËRBALLË” KASANDRËS GREKE

Presidenti nuk e refuzoi krijimin e Sinodit të Shenjtë  Ortodoks, por propozimi i tij ishte të kërkoheshin kandidatë të tjerë, nga vende të tjera, për arsye të qarta për Shqipërinë. Dialogu zyrtar ndërmjet Patrikanës Ekumenike dhe Qeverisë Shqiptare u ndërpre në këtë pikë, në korrik të vitit 1992 dhe u mbyll papritur, me veprimet kishtare të korrikut 1996 në Konstandinopojë.
Vlerësimi i autoriteteve të Kishës ortodokse mbi autoritetin e Janullatosit në Shqipëri bëhet nga baza subjektive. Sipas zëdhënësit Thoma Dhima, ai me pohonte ne vitin 1997: “Meqënëse ekzistoi miratim i plotë – pothuaj i njëzëshëm i popullit ortodoks të Shqipërisë për zgjedhjen e Kryepiskopit, Im Zot Anastasit, ai e pranoi atë, duke dhënë Mesazhin e Madh më 12 korrik 1992, tetëmbedhjetë ditë pas zgjedhjes, pasi ishte siguruar më parë pëlqimi i Shtetit Shqiptar”.
Por kur u bë kurorëzimi i Kryepeskopit nga i njëjti delegacion Patriarkal, më 2 gusht 1992, u pa qartë se autoritetet shqiptare kishin ndryshuar mendje për pëlqimin që kishin dhënë, që të vendosej një primat grek dhe u përpoqën me ngulm të mobilizonin opinionin publik, që ta detyronin Kryepiskopin të largohej vetë ose ta dëbonin.

Berisha: “Më mashtroi Ylli Pора”

Sipas burimeve, atëhere afër ish- Presidentit, Berisha e ka ndjerë veten të mashtruar kur ka marrë vesh pozicionin real të kryepiskopit të sapokurorëzuar. Në fakt nuk egziston asnjë dokument, që të vërtetojë nga ana zyrtare se Janullatos është pranuar nga Presidenti shqiptar. Vetë autoritetet ortodokse pranojnë se pranimi i Janullatosit ka qenë thjesht verbal, pas një takimi kokë më kokë që ai pati me Sali Berishën. Por Presidenti impulsiv dhe dyshues, duket se e ka ndjerë atë që ai më pas do ta quante “pabesi të ish-bashkëpunëtorëve të tij, të inflitruarve të Ramiz Alisë”.  Arsyeja e tërbimit të Berishës ishte e thjeshtë. Ai nuk e dinte se zgjedhja e Janullatosit në këtë post ishte e përjetshme. Kështu nga pikëpamja kanonike, peshkopi dhe kryepeshkopi i një vendi, zone apo krahine, nëse e fiton këtë titull e mbante për tërë jetën. Por ndërsa Berisha mirëpriti zgjedhjen e Eksarkut grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, ai nuk mund t’ia falte këshilltarit të tij për fenë dhe ish-mikut të tij Ylli Popa, të cilit një ditë para se të takohej me Janullatosin, e kishte pyetur: “Gjithçka në rregull? A ta pranojmë?”. Bashkëpunëtorët e tij kanë ulur kokën dhe i kanë thënë me një lëvizje të shkujdesur dore, që t’i japë grekut prift një përgjigje pozitive. Por një vizitë e beftë e një përfaqësie ortodokse antigreke, me në krye ish nxënësin e seminarit ortodoks të Durrësit Arian Koja, e informojnë Berishën se ai një ditë më pare kish bëhë një gabim të madh kombëtar dhe politik, duke kurorëzuar përjetësisht, një grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Berisha, atëherë një pioner i politikës ekuilibriste, të importuar nga Washingtoni, njëkohësisht ishte një adhurues i Fan Nolit dhe këtë dashuri për priftin më të çuditshëm shqiptar e kish shfaqur shpeshherë, edhe në programin e partisë se tij, bile edhe në paraqitjen zyrtare që iu bë kur u zgjodh President. Ndërsa Arjan Koja ishte një student i seminarit ortodoks të Durrësit, prej të cilit në 1992 ishte përjashtuar, siç deklaron ai, pasi kish mbajtur në dhomë një fotografi të Fan Nolit. Ky fakt edhe të tjerë, që iu bënë të ditur Berishës vetëm një ditë pas takimit historik me Hirësine e tij Janullatos, duket se përcaktuan qëndrimin e mëpastajmë të ish-Presidentit. At Artur Liolin në vitin 1994, do të më pohonte në një nga takimet e shumta që pata me të në Amerikë, se e kishte marrë vesh nga shtypi se “në krye të Kishës që kishtë themeluar Noli, do të vihej një grek. Berisha nuk më informoi dhe nuk më pyeti, qoftë për informacion, përpara se të pranonte Janullatosin”. Natyrisht Noli nuk ishte themelues i Kishës Autogefale Shqiptare, por sidoqoftë, partizani i hershëm i tij, Berisha para se të ndërmerrte një vendim historik, duhet të paktën të pyeste pasuesit e priftit të madh. Edhe vetë Ramiz Alia, në qershor të vitit 1991, pasi kishte marrë kërkesën e parë të Janullatosit për të vizituar Shqipërinë, i ka dërguar një ftesë Liolinit për të vizituar Shqipërinë, gjatë së ciles mori edhe disaprovimin e tij për pranimin e Janullatosit. Megjithatë letra e gjatë sqaruese e Liolinit përfundoi në koshin e plehrave, pasi Janullatos në fakt erdhi në Shqipëri, pikërisht pas aprovimit që mori nga Ramiz Alia.
Ndërsa problemi i Berishës qëndronte në mosinformimin e saktë dhe në manine e tij për të mos dëgjuar shumë të tjerët. Duket se në vendimin që mori, ai është giendur i rrethuar nga miq e këshilltarë, që me pas do t’i quante grekë, tradhtarë, këlyshë të Ramizit dhe do t’i bënte armiq të përhershëm, si Ylli Popën. Gjithsesi të paktën për diçka Berisha pati të drejtë: Ylli Popa pak kohë më vonë do të bëhej këshilltar personal i Janullatosit, duke vërtetuar kështu pjesërisht dyshimet e Presidentit.

Hakmarrja e Berishës

Hakmarrja e Berishës nuk do të vononte. Në fund të vitit 1992 dhe në fillim të vitit 1993 u hartuan projektligje të ndryshme për komunitetet fetare, me qëllim dëbimin e Kryepiskopit me origjine greke. Por, pas grumbullimit të ortodoksëve, pavarësisht nga prejardhja, si dhe një pranimi në heshtje prej tyre e Primatit të sapozgjedhur, trysnia u zbraps në dukje. Pasoi një periudhë e gjatë tensionesh në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi: dëbimi i priftit Krisostom Maidhoni në verën e vitit 1993, që nga Autoritetet shqiptare u mor gabimisht për një nga tre Mitropolitet e zgjedhur, ngjarjet e Peshkëpisë me 1994, që rikthyen fqinjët problematikë, në gjendjen e luftës së ftohtë, ashtu si deri në vitin 1986, ndalimi i hyrjes së lirë në Shqipëri të qytetarëve grekë në shtator 1994, përndjekjet, privimet dhe qindra shkrime që nuk pushuan së foluri kundër Klerikut grek.
Reagimi e arriti kulmin në nëntor të vitit 1994 me Projekt-Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e cila, me anë të një dispozite kategorike, kërkonte të dëbonte me mënyrën më të pakthyeshme Kryepiskopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, për shkak të origjinës së tij greke. Pas rrëzimit në referendum të Projektkushtetutës çështja u shty, por natyrisht nuk kishte mbaruar…

Janullatos fati i keq i të qenit grek

Ata që njohin kurrikulumin e Anastas Janullatosit e dinë se për Kishën Shqiptare, ishte fat që të kishte pranë një njeri të tillë. Përgatitja e Tij e lartë teologjike, devotshmëria ndaj fesë, përvoja e gjatë ikumenike dhe episkopale e kishin bërë atë vite më parë një nga kandidatët më të mundshëm për postin e patriarkut të Kostandinopojës, ose thënë në zhargon “Papës” së Ortodoksisë. Por ai nuk kish plotësuar vetëm njërin nga kushtet: Patriku i ardhshëm i Kostandinopojës, duhet të ishte i lindur në komunitetin e kufizuar ortodoks të Ish-kryeqendrës së Perandorisë Bizantine. Por Janullatos kishte lindur në Greqi, ndaj nuk mundi të fitojë përballë kandidaturës se Bartolomeut, të lindur në Stamboll. Fati i Janullatosit duket se ishte i “përcaktuar” për në Shqipëri. Por edhe atje, sërish pengesë do t’i bëhej vendlindja e tij helenike. Janullatos e kuptoi se vështiresite që i dilnin nga shqiptarët, nuk do të mund të kapërceheshin vetëm duke zbatuar rregullat strikte të Kanonizmës Ortodokse. Shqiptarët sapo kishin filluar të ndjenin lezetin e shtetit dhe do të tregoheshin vanitozë në ekspozimin e tij.

Kryepeshkopi, nga shkak në mediator i krizës

Kur më 22 korrik të vitit 1996, Kryepeshkopi, Imzot Anastasi, u thirr me anë të një Letre Patriarkale, dërguar me faks, për të shkuar në Kostandinopojë për hirotonisjet – kurorëzimin zyrtar – të tre Mitropolitëve, ai i kujtoi Patriarkanës Ekumenike sa kishte theksuar shumë herë në letrat e tij dhe gjatë takimeve personale, lidhur me specifikën e gjendjes në Shqipëri: “Për mua do të ishte bekim nëse pranë do të kisha, për të marrë pjesë në veprën e mundimshme të rimëkëmbjes nga gërmadhat e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqiperise, jo vetëm tre, por shumë më tepër mitropolite dhe klerikë të tjerë. Por, ngjarjet duhen kuptuar siç janë dhe të trajtohen seriozisht. Në Shqipëri tashmë janë forcuar frika dhe shqetësimet, se grekët tentojnë të depërtojnë e të realizojnë planet e tyre etnike nëpërmjet Kishes Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Sigurisht, këto pikëpamje janë të padrejta dhe jashtë realitetit; megjithatë, janë të deklaruara qartë”.
Me pak fjalë, inteligjenca e lartë e Anastasit, një njeri enciklopedik, erudit dhe teolog i famshëm, njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe që fare rastësisht dhe në mënyrë aksidentale nuk ishte zgjedhur patriark i Patrikanës se Kostandinopojës, kish kuptuar se shteti i ri shqiptar, nuk kishte përvojën, guximin dhe besimin, se Kishën shqiptare mund ta rindërtonin të huajt, aq më pak grekët.
Arsyet diheshin, ato i kishte të shkruara çdo libër i historisë së Shipërisë. Janullatos në diskutimin e tij me Patriarkun Bartolome theksonte gjithashtu, se historia kishtare e Ortodoksisë në Shqipëri gjatë periudhës 1922-1990 mbetet kuptimplotë dhe se besonte që “veprimi më i drejtë është vazhdimi i dialogut me autoritetet shqiptare, me ardhjen në Shqiperi të një delegacioni prej hierarkësh të Patriarkanës Ekumenike, me qëllim që problemi të zgjidhet së bashku me shqiptarët ortodokse brenda vendit, meqënëse këta të fundit i njohin gjërat në thellesi dhe vuajnë edhe ata qëndrimin e disfavorshëm të tejzgjatur që është krijuar ndaj Udhëheqjes Ortodokse”.
Reagimi i Shtetit Shqiptar ndaj hirotonisjeve të tre Mitropoliteve, që u kryen në Kostandinopojë më 26 – 27 dhe 28 korrik 1996, ishte i menjëhershëm. Më 2 gusht 1996 ai deklaroi se lidhur me emërimin nga ana e Patriarkanës së Kostandinopojës të tre Mitropolitëve grekë në Shqipëri, “njoftimin e morëm nga shtypi. Na çuditi fakti se si Patriarkana, pa një bisedim paraprak me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, merr vendimin që i gjithë Sinodi në Shqipëri të përbëhet nga qytetarë grekë. Kjo jo vetëm që tejkalon çdo etikë të marrëdhenieve ndërmjet palëve, por, njëkohesisht prek ndërgjegjen kombëtare të popullit tonë, përfshirë edhe ortodoksët shiptarë”. Dhe nënvizon “qëndrimin e prerë të qeverisë shqiptare për të mos lejuar më asnjë klerik të huaj të drejtojë punët e fesë në Shqipëri”.
Këtë qëndrim Oeveria Shqiptare e theksoi për herë të dytë me 5 gusht 1996, në një letër të saj drejtuar Patriarkanës së Nderuar Ekumenike, duke vënë në dijeni edhe Kryepiskopatën e Tiranës.

Kisha: Unë drejtohem nga Shqiptarë

A ishte Janullatos, drejtuesi i vetëm i Kishës Ortodokse Shqiptare? A ishte i drejtë shqetësimi i autoriteteve shqiptare, për uzurpimin grek të vendeve që i takojnë shqiptarëve? Autoritetet kishtare ne ate kohe japin argumente për të kundërtën. Sipas tyre Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, derisa të behet i mundur funksionimi i Sinodit të Shenjtë – organi drejtues më i lartë i një kishe autoqefale – drejtohet nga Këshilli i Përgjithshëm Kishtar (Këshilli Mikst). Këtu është  fjala për një zgjidhje thjesht tranzitore. Ky organ ishte skema e vetme drejtuese e mundshme, sipas statuteve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, që ishin herë pas here në fuqi, dhe u krijua me dijeninë e Patriarkanës Ekumenike. Për më tepër sipas këtyre autoriteteve, pas refuzimit të Qeverisë Shqiptare për të pranuar tre Mitropolitet e zgjedhur për në Shqipëri nga ana e Patriarkanës Ekumenike, ishte e nevojshme të vazhdohej te funksiononte kjo strukurë tranzitore kishtare. Sepse duhej që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të kishte bazë ligjore para Autoriteteve shqiptare për të rivendikuar pasurinë e saj, për të ligjëruar ekzistencën e saj brenda shtetit shqiptar të ndarë nga feja. “Me këtë mënyrë, me rrefente ne ate kohe, zëdhënësi i ndjere Dhima, provohet gjithashtu, se organi drejtues i përkohshëm i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nuk është një i huaj, por një Këshill kleriko-laik prej 13 anëtarësh, nga të cilët 12 janë qytetarë shqiptare (tetë klerikë dhe katër laikë)”.

Autoqefalia, ja si e fituam

Në vitin 1914 u nis Lufta e Parë Botërore, Shqipëria u shkel prej francezëve, italianëve, austrohungarezëve. Nga fundi i Luftës, mosmarrëveshjet e brendshme u përsëritën dhe vazhduan deri në zgjedhjet e Ahmet Zogut si Ministër i Punëve të Brendshme pas Kongresit të Lushnjes. Gjatë kësaj periudhe, ortodoksia shqiptare ishte nën Patriarkanën Igumenike, siç ishte që në kohën e Skënderbeut. Në gusht të vitit 1922 me iniciativën e peshkop Evangelit të Beratit u bë një kongres në Berat me gjithë klerikët ortodoksë të Shqipërisë, me përjashtim të Fan Nolit. Këtu arritën në përfundimin se Kisha Ortodokse Shqiptare të bëhet auto-qefale si kishat e tjera të Ballkanit. Si dhe të zgjidhet një delegacion i kryesuar prej At Vasil Bakes për të vajtur në Patriarkanën Igumenike në Stamboll dhe të shfaqë mendimin e Kongresit të lartpërmendur. Patriarku i priti me entuziazëm për mendimin që kishte marrë Kongresi i Beratit dhe emëroi peshkop Erotheun, që ishte lindur në Shqipëri, në Leskovik, si përfaqësues fuqiplotë i Patriarkanës. Në vitin 1923 Erotheu, i shoqëruar nga peshkop Kristofor Kisi lindur në Berat, arriti në Korçë. Këtu Fan Noli me dinakërinë e tij natyrale bind hirësinë e tij, Erotheun, perfaqësuesin e Patrikanës Igumenike në Shqipëri, që të dorëzoheë kryepeshkop. Erotheu, i shoqëruar prej Kristofor Kisit, e dorëzuan Fan S. Nolin si të tillë në Shën Gjergjin e Korçës më 23 nëntor 1923. Ky akt duket nuk ishte kanonik, pasi për këtë shkak thuhet se Patrikana Igumenike i hoqi titullin Erotheut si përfaqësues fuqiplotë i Patriarkanës dhe e hoqi nga Shqipëria, duke vonuar kështu edhe autoqefalinë.
Por dëshira e Zogut ishte që Kisha Ortodokse Shqiptare të gëzonte gjithë  ato të drejta që kishin dhe shtetet e tjera Ballkanike, autoqefalia e tyre. Për të plotësuar këtë qëllim, Zogu emëroi një komision të posaçëm, për të vajtur në Stamboll dhe t’i përmendë Patriarkut Igumenik ato kërkesa që pati bërë kongresi i Beratit. Midis pjesëtarëve të ketij komisioni, Zogu emëroi peshkop Kristofor Kisin si përfaqësues të Kishës Ortodokse dhe kryeministrin e Shqipërisë, Koço Koten si përfaqësues i mbretërisë shqiptare. Mendimi i Zogut korr sukses. Patriarkana Igumenike më 12 pill 1937 nën bekimin e saj dhe Sinodit të Shenjtë proklamoi Kishën Ortodokse Shqiptare të barabartë si gjithë autoqetalitë e tjera të botës 1. Kryepeshkopi duhet të ishte murg i pamartuar, 2. Me nivel të lartë të  ligjeveteologlike. 3. Përvojë në administrimin kishtar. 4. Kombësi dhe shtetësi shqiptare. Këto kushte i plotësoi i pari Kristofor Kisi.

Këmbanat bien, kloni është gati

Sot gjerat kane ndryshuar. Janullatos vdiq si shtetas shqiptar. Pas refuzimit te Presidenteve Berisha, Meidani, Moisiu (ortodoks), Topi dhe Nishani, ne krishtlindjet e vitit 2017, Ilir Meta i dha Anastasit pasaporte shqiptare “per merita”. Janullatos kishte bere paqe me Nanon (i bekoi martesen me gruan e re), dhe me Berishen, nderkohe qe ringriti kasten e re te klerikeve ortodokse shqiptare, prej nga do dale pasuesi i tij. Por amaneti i tij per t’u varrosur ne Katedralen e re, me siguri do te ngreje nje tjeter furtune, edhe pas vdekjes se tij: perse ky vendim? Per te kthyer Kishen ne nje vend pelegrinazhi, per nje prift qe Tirana zyrtare nuk e pranoi kurre plotesisht? Dhe a ka zgjedhur nderkohe pasuesin e tij dhe procedurat do jene thjesht nje formalitet? A vdiq ai si nje shqiptar i sinqerte?

E Ndërsa këmbanat e kishave ortodokse do vazhdojnë të thërrasin besimtarët, zhurma e tyre do të arrijë gjithmonë të prishë  gjumin e politikanëve në të dy anët e kufirit jugor të Shqipërisë, edhe sot qe Janullatos nuk jeton me. Kufi që ende ruan gjurmët e Klonit të tmerrshëm të ndertuar nga Enver Hoxha. Klon, që sa herë pret shqiptare të përzënë nga “fshesat” dhe përcjell të dërguarit e Patrikanës, kthen frikën e ringjalljes. Jo te Krishtit, por te sherreve te vjetra, te atyre qe perdorin Kishen dhe Besimin, jo ne emer te Zotit. Janullatos, perfundimisht, nuk ishte njeri prej tyre. Ai donte vetem Kishen dhe Zotin. Dhe donte edhe shqiptaret.

SOKOL BALLA



Skip to toolbar