Sokol Balla: Zbutja e Kryeneçit (dhe mërzia e Bashës)

Më të fundit


Nga Sokol Balla

“I them Amerikanëve dhe të tjerëve se nëse duan zgjedhje me një parti, le të shkojnë në Korenë e Veriut”. Presidenti Meta, i ashpër me ton dhe i prerë, e mbylli kështu deklarimin e tij të martën, duke dhënë idenë se nuk i ndruhej më një kursi përplasjeje ballë për ballë me Uashingtonin, për datën e zgjedhjeve dhe krizën politike.

Por gjërat rrjedhin ndryshe për Amerikanët. Ndërsa Meta i ftoi të shkonin në Korenë e Veriut, ata i shkuan të enjten në zyrën e tij. Ndoshta edhe kanë shkuar e janë kthyer nga zyra e Kimit te zyra e Ilirit, me shpejtësinë që Muhamedi udhëtoi nga Jeruzalemi në Mekë, por më shumë ka mundësi që ai të ketë provokuar qëllimisht Amerikanët dhe ata t’ia kenë marrë pak personale atë punën e Koresë. Diçka duhet t’i kenë thënë në zyrë, derisa Presidenti të mos presë orën 5, kur kishte njoftuar konferencën për shtyp, por të nxjerrë një deklaratë “të qetë dhe të dashur” ku bënte thirrje për reflektim të të gjitha palëve dhe duke lënë të kuptohet se dhe ai vetë kishte reflektuar.

Aq sa nxori këshilltarin e tij të thoshte se dekreti i ri do jetë i afërt me 30 qershorit dhe se do jetë produkt i një dakordësie mes palëve. Aq sa mërziti zotin Basha, i cili la të kuptohet pak minuta më vonë, se nuk i besonte më lojës me dekrete të Ilir Metës. Lojë që si gjithmonë nxjerr fitues atë vetë dhe humbës të tjerët. Me siguri Basha është mërzitur edhe nga fakti qe fletërrufeja që miratoi Kuvendi kundër Metës, nuk ishte edhe aq ndëshkuese. Me siguri priste që Meta të ndante me të vuajtjet e këtyre kohërave të vështira, por Iliri është mjeshtër. Me provokimin e Koresë, i solli amerikanët në zyrë, në sytë e tyre u tërhoq, ndërsa në sytë e publikut, u faktorizua. Për Bashën as nuk ia ndjeu fare. Duke zgjedhur një ditë të keqe, për të lënë Lulin vetëm.

Sepse mërzia e Bashës kishte dhe arsye të tjera që u morën vesh pasdite. Të merresh i pandehur për lidhje me rusët, kur protestat e tua transmetohen live nga Russia Today dhe amerikanët kanë muaj që të thonë te mos destabilizosh Ballkanin, nuk është një gjë fort e lehtë.

Të paktën Meta nuk ka vënë firma. Ka vetëm batuta pa zarar. Këtë do t’i ketë thënë Lejlës me buzëqeshje. Edhe ajo do të ketë qeshur. Mirë bile! Nuk thonë kot, se qesh mirë, ai që qesh i fundit.



Skip to toolbar