Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryebashkiakun e Janinës, Moses Elisaf, i cili është njëkohësisht edhe përfaqësues i komunitetit hebraik në këtë qytet. Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi kryetarit të Bashkisë së Janinës “Kullën e Sahatit” dhe theksoi se Tirana dhe Janina kanë një traditë bashkëpunimi të jashtëzakonshme ndër vite, dhe se historitë njerëzore janë shumë më të rëndësishme se çdo protokoll e diplomaci mes shteteve dhe qyteteve.
“Tirana dhe Janina kanë pasur një traditë bashkëpunimi të jashtëzakonshme ndër vite, ndaj jam shumë i lumtur që me kryetarin e ri mund ta rifillojmë këtë miqësi dhe bashkëpunim. Kur jam larguar për herë të parë nga Shqipëria, Janina ishte vendi i parë që më ka pritur. Besoj se këto histori njerëzore janë shumë më të rëndësishme se çdo protokoll dhe çdo diplomaci mes shteteve edhe qyteteve tona”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi kontributin e menjëhershëm të Greqisë, por edhe të Izraelit, pas tërmetit të 26 nëntorit duke sjellë ndihma të ndryshme si dhe ekipe të kërkim-shpëtimit. Veliaj tha se ky moment ishte treguesi më i mirë se humanizmi që na bashkon është më i fortë se çfarëdo lloj politike tjetër apo debati që mund të kemi në ditë normale.
“E kemi falenderuar edhe qeverinë greke, edhe qeverinë izraelite, miqtë tanë që na kanë ndihmuar shumë. Ishte një solidaritet i jashtëzakonshëm dhe besoj se në kushte të tilla, kur zbulon se në ditën e nevojës, fqinjët grekë, italianë etj. janë aty për ty, kupton se humanizmi që na bashkon është më i fortë se çdo politikë apo debat që mund të kemi në ditë normale. Në ditën e fatkeqësisë zbuluam kush janë miqtë dhe fqinjët tanë të vërtetë, ndaj të falenderoj shumë”, tha kryebashkiaku, pa harruar të përmendë edhe miqësinë që bashkon shqiptarët me komunitetin hebre. “Ajo që më vjen mirë është se edhe si përfaqësues i komunitetit hebraik të Janinës, mezi pres që një pjesë e asaj historie të lavdishme të qytetit tonë, për strehimin e hebrejve, për mbajtjen e besës dhe ndihmën ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, ta tregojmë si një moment reflektimi dhe për kohët e vështira që po kalojmë tani, me situatën pas tërmetit”, tha Veliaj.