Ambasadori i BE-së, Luiggi Soreca ka zhvilluar të hënën një takim me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë, Ardian Dvoranin me të cilin ka biseduar për etapat e fundit për përzgjedhjen e anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë.
Ambasadori thekson se është thelbësore që këto gjykata të jenë sa më parë funksionale.
“Sot u takova me kreun e KED-së, Ardian Dvorani, për t’u njohur me etapat e fundit të punës së Këshillit për përzgjedhjen e kandidatëve fitues për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, në kontekstin e reformës në Drejtësi. Është thelbësore që Gjykata të jenë funksionale brenda një kohe sa më të shkurtër” shkruan Soreca në Twitter.
Të shtunën realstory.al botoi një artikull ku njoftonte se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda verës, kjo referuar zhvillimeve më të fundit nga KED, i cili është në përfundim të procesit të përzgjedhjes së kandidaturave.
KED ka njoftuar se ka përfunduar i gjithë procesi paraprak përgatitor në lidhje me mbledhjen e informacionit dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga kandidatët që kanë aplikuar. “Brenda disa ditëve pritet të përfundojë edhe faza e verifikimit të pushteteve ligjore të secilit prej kandidatëve”.
Referuar informacioneve të KED, gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda verës. Kjo merr një rëndësi të veçantë për shkak të situatës aktuale politike ku diskutohet në parlament kërkesa për shkarkimin e Presidentit Meta, kërkesë e cila pas vendimit të Kuvendit kërkon edhe vulën e Gjykatës Kushtetuese për të hyrë në fuqi.