Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor, ka uruar të gjithë nxënësit shqiptarë, duke dhënë një mesazh të fortë, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për politikën. Soreca ka deklaruar se shpreson se shumë shpejt Shqipërisë do t’i hapen negociatat për anëtarësimin në BE dhe më pas të bëhet pjesë e familjes Europiane.
“Keni besim te Shqipëria ashtu siç kam unë. Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë, kini besim. Së shpejti, shpresoj që shumë së shpejti, do të hapim negociatat me Shqipërinë në mënyrë që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE dhe të rikthehet në gjirin e BE, aty ku ky vend i përket gjithmonë. Ju jeni e ardhmja e BE”, u shpreh Soreca. Ky mesazh e ambasadorit të BE në vendin tonë vjen vetëm një muaj para vendimit për hapjen e negociatave, ndërkohë që ai shfaqet më optimist për këtë vendim sesa vetë politika shqiptare. Vetë mazhoranca nuk ka folur me kaq optimizëm për hapjen e negociatave, ndërkohë që opozita dhe kreu i shtetit, janë treguar tejet skeptikë, madje në deklaratat e tyre, me nota tallëse, kanë deklaruar se nuk do ketë një vendim të tillë për Shqipërinë.
Megjithatë, Soreca duket se e ka rezervuar këtë mesazh pikërisht në ditën e parë të shkollës, pasi sipas tij nxënësit janë e ardhmja europiane dhe për këtë arsye ata duhet të behën më të mirët e mundshëm në radhë të parë për Shqipërinë dhe më pas për BE. Në fund Soreca ka folur edhe shqip duke falënderuar të gjithë të pranishmit. “Duhet të jeni qytetarë më të mirë të Shqipërisë dhe më pas të BE-së. Urime për vitin e ri shkollor. Gëzuar. Delegacioni i BE do të jetë pranë jush. Faleminderit të gjithëve”, ka thënë Soreca.