Pikërisht më 12 qershor të vitit 1991, një pjesë e anëtarëve të Partisë së Punës vendosi të ndahet nga e kaluara duke rienergjizuar politiken e saj e duke themeluar Partinë Socialiste.
Kryetari i parë ishte Fatos Nanoja dhe partia qeverisi më pak se një vit deri në 1992-in.
Ish-kryetari Nano u dënua më pas dhe vijoi drejtimin e partisë nga burgu deri në daljen e tij me trazirat sociale të vitit ’97. Ishte qershori i atij viti kur socialistët nen drejtimin e Nanos erdhën në pushtet.
Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, Partia Socialiste doli në opozitë dhe Nanoja dha dorëheqjen nga drejtimi i saj, duke u zëvendësuar nga Edi Rama, që ndonëse në opozitë arriti të fitojë edhe një tjetër mandat në krye të Bashkisë së Tiranës në 2007-ën.
Partia Socialiste rierdhi në pushtet për here të parë nën drejtimin e Ramës në zgjedhjet e vitit 2013. Kjo parti është futur në historinë e pluralizmit politik si e vetmja forcë politike fituese e tri mandateve rresht për të qeverisur Shqipërinë me të njëjtin kryeministër, Ramën.
Muajt e fundit Partia Socialiste nisi edhe procesin e rienergjizimit duke sjellë një rritje të anëtarësisë.
Një tjetër risi e kreut të PS-së është edhe takimi me shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit, i cili filloi në Greqi e më pas në Itali, ndërkohë që ishin zgjedhjet e parakohshme në Britaninë e Madhe dhe Kampionati Europian i Futbollit në Gjermani, arsyet që e detyruan kreun e qeverisë të shtyjë takimet me emigrantët në Londër dhe Dyseldorf. Ato do të zhvillohen në shtator, por u shtohet edhe një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Festa për 33-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste do të mbahet në selinë e saj sonte në orën 19:00.