Është mbyllur fushata zgjedhore në Kosovë, ndërsa e shtuna është dita e heshtjes zgjedhore, të dielën shtetasit e Kosovës do të shkojnë të hedhin votën në kutitë e votimit.
Qytetarët e Kosovës do të kenë të drejtë të votojnë për të zgjedhur 120 deputetë të Kuvendit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në garën zgjedhore janë 25 subjekte politike, por më dominuese janë Lëvizja Vetëvendosje (VV), LDK, PDK, koalicioni AAK – PSD dhe koalicioni NISMA – AKR, të cilat kanë dominuar edhe në sondazhet e publikuara gjatë kohës së fushatës.
Zgjedhjet e së dielës vlerësohen me rëndësi për shkak të sfidave që ndodhen para Kosovës, në radhë të parë përballjen me procesin e pezulluar të dialogut me Serbinë.
Kosova hyri në zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje si i dyshuar në Gjykatën Speciale të Hagës.