5 vjet pas takimit të 3 Korrikut të 2018-ës, dy qeveritë ajo e Shqipërisë dhe Malit të Zi do të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët në Podgoricë.
Aktiviteti do të nisë me ceremoninë e mirëseardhjes dhe prezantimin e dy delegacioneve në orën 10:30, për t’u pasuar nga nënshkrimi i 10 marrëveshjeve dhe memorandumeve midis dy kabineteve qeveritare.
Një ndër marrëveshjet e rëndësishme është ajo për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin e Shqipërisë, si dhe marrëveshja në fushat e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin e Bunës.
Mes dy qeverive pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të tjera në fushën e energjisë, mbrojtjes, atë të shëndetësisë, bujqësisë, mbrojtjes sociale si dhe arsimit e sportit.
Kjo është mbledhja e dytë që zhvillohet mes qeverive të dy vendeve, dhe vjen pas takimit të dy kryeministrave në Ohër vitin e kaluar, ku Rama dhe Abazoviç diskutuan për projektin e ndërtimit të përbashkët të urës së lumit Bunë.
Pjesë e diskutimit mes palëve, por edhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp do të jetë edhe kjo çështje, ku dy palët do të paraqesin projekte konkrete për ta kthyer lumin Buna në një atraksion turistik dhe hapësirë lundruese për jahtet dhe anijet.