Pritet të jetë një maratonë seancë plenare sot, për shkak të mocionit me debat lidhur me gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, zgjedhje të cilat opozita vijon të mos i njohë, duke i cilësuar si të manipuluara. Diskutimet pritet të jenë të gjata dhe të shoqëruara me tension, pasi ky mocion konsiderohet nga opozita si një çështje thelbësore që lidhet me legjitimitetin e procesit elektoral.
Seanca pritet të zgjatet ndjeshëm edhe për shkak të një rendi dite tepër të ngarkuar, ku krahas mocionit, janë programuar dy interpelanca, një me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa, dhe tjetra me Kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj.
Rendi i ditës përfshin gjithashtu një sërë projektligjesh me impakt të gjerë në fushën fiskale, financiare dhe ekonomike, duke e kthyer këtë seancë në një ndër më voluminozet e sesionit. Mes tyre janë projektligjet për ndryshimet në procedurat tatimore, TVSH, tatimin mbi të ardhurat, sistemin e taksave vendore dhe faturimin elektronik, të cilat shoqërohen me diskutime dhe votime nen për nen dhe në tërësi.
Në fokus të veçantë është projektligji për marrëveshjen e paqes fiskale, si edhe iniciativat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe fshirjen apo shuarjen e detyrimeve tatimore, të cilat pritet të ngjallin debat të gjerë për shkak të ndikimit të tyre në administratën fiskale dhe bizneset.
Një nga pikat më të rëndësishme të seancës është shqyrtimi dhe votimi i buxhetit të vitit 2026, dokumenti kryesor financiar i shtetit, i cili, ashtu sikurse ka ndodhur pwrgjatw çdo viti, prodhon debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për prioritetet ekonomike dhe sociale të qeverisë.
Më tej, deputetët do të shqyrtojnë edhe projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat (PPP)”, një nismë që përfshin një proces të gjerë konsultimesh, raportimesh nga komisionet parlamentare dhe diskutimesh nga grupet politike, për shkak të rëndësisë strategjike dhe transparencës së kërkuar në këtë fushë.
Pjesa e fundit e rendit të ditës përfshin projektligjin për gjuetinë, ndryshimet në ligjin për ndryshimet klimatike, ndryshimet në regjistrimin e OJF-ve, si dhe projektvendimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një vendim që kërkon shumicë të cilësuar 3/5.
Në fund të seancës, sipas rregullores, do të zhvillohen edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës
