SPAK transferon dosjet në rrethe me blindat e RENEA

POLITIKË


140 dosje që hetojnë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse, grupet kriminale dhe lidhjen e krimit me politikën do të hetohen nga SPAK, puna e të cilit nisi me 8 prokurorët e parë të emëruar. Ndërsa dosjet e tjera që kanë të bëjnë me veprat penale si gjobëvënia, krimet në familje si dhe kultivimi i lëndëve narkotike do të spostohen në prokuroritë e rretheve përkatëse. Spostimi i tyre është bërë i shoqëruar me forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe në disa raste edhe me pjesëmarrjen e RENEA-s, me kërkesë të  SPAK, që i është drejtuar Policisë së Shtetit duke kërkuar asistencën e uniformave blu për të bërë transportimin e dosjeve nga kjo godinë, drejt prokurorive të rretheve.

RENEA ka asistuar në transportimin e dosjeve nga godina e SPAK në prokuroritë e rretheve kryesisht në prokuroritë e Durrësit, Elbasanit, Vlorës e Shkodrës ku edhe numri i dosjeve dhe volumi i tyre është më i lartë. Transporti i dosjeve, hetimet e të cilave janë ende të hapura do të bëhet me mjete të blinduara, e ndërsa pjesa tjetër do të dërgohen me postë sekrete.  

Krijimi i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar sollën shkrirjen e Prokurorisë dhe Gjykatës së Krime të Rënda pas 15 vitesh.



Skip to toolbar