Erdhën! Ibrahimi: SPAK dhe BKH, urgjent në Kuvend

AKTUALITET


Ngritja e organeve të reja të drejtësisë, siç është SPAK dhe BKH që do të merren veçanërisht me hetimin dhe vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar apo që kanë lidhje me krimin, ka bërë që deputetët të vihen në lëvizje dhe të kërkojnë më tepër informacion.

Ata kanë thirrur në një seancë dëgjimore Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i cili do të raportojë të martën para Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Reformës në Drejtësi. 

Ibrahimi do të raportojë për punën që po bëhet për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Seanca është parashikuar të zhvillohet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Komisioni i Pavarur përbëhet nga 5 anëtarë, profesionistë në fushën e të drejtës, që zgjidhen nga Kuvendi, dhe ka objekt të veprimtarisë së tij monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë.

Më herët Ibrahimi ka deklaruar se SPAK do të jetë gati në fund të shtatorit dhe në tetor do të nisë punën. Pritet që gjatë raportimit të japë detaje të mëtejshme edhe për dosjet me të cilat do të merret SPAK. Në një deklaratë të mëhershme, Ibrahimi ka thënë se kjo strukturë do t’i hapë të gjitha dosjet, edhe dosjet e vjetra të politikanëve të akuzuar, ndërsa ka përmendur edhe emrin e Adriatik Llallës, duke thënë se puna e SPAK mund të nisë me këtë dosje./realstory.al



Skip to toolbar