Atentati i Dobraçit u rikthye sërish në fokus në studion e ‘Real Story’ ku u zbuluan detaje të reja. Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh se është e konfirmuar prezenca e Ibrahim Licit në vendngjarje. Sipas tij, atentatorët kanë mbetur të plagosur rëndë dhe madje është hetuar në klinika private. Karamuço shtoi gjithashtu se qyteti është blinduar sepse dyshohet hakmarrje dhe se hetimet janë drejt fundit.
“ Procedime penale janë dy në Spak, janë bashkuar në një sepse janë të njëtët rivalë por në veprime kriminale të ndryshme. Spak ka emra konkretë për atentatorët të cilët po hetohen. Ka të identifikuar në mënyrë të saktë që personi i tretë është Ibrahim Lici, paraqitja biometrike e ka konfirmuar që është ai. Ka dyshime të forta që mund të organizohet një hakmarrje ndaj ka shtim të forcave policore. Di t’ju them që policia ka dyshime të forta që jo vetëm është goditur nga makina e viktimave, mund të ketë të plagosur në makinën e atentatorëve dhe për këtë po hetohet. Kur është kërkuar në klinika private, është kërkuar dhe për atentatorët që kanë ngelur të plagosur rëndë në atë ngjarje. Ka skenarë të frikshëm dhe janë në dijeni strukturat që çfarë mund të ndodhë, financat që kanë, njerëzit që kanë mbrapa. Dyshohet që të ketë një tjetër atentat të rëndë. Është një sagë e gjatë që po mban në terror atë vend që nuk e meriton. Me hetimet po shkohet drejt fundit, ka një dritë në fund të tunelit.”