Atalanta ka kryer një “vetëvrasje” të vërtetë futbollistike përballë Lazios dhe ka humbur mundësinë për të barazuar përkohësisht Juventusin në krye të tabelës, megjithëse dy ekipet argëtuan tifozët e pranishëm në Olimpico të Romës.
Skuadra e Gasperinit bën një pjesë të parë prej manuali dhe shkon në pushim me epërsinë e tre golave. Atalanta është një makinë perfekte goli dhe shënon dy herë me Muriel dhe golin e tretë me Gomez, me Strakoshën të pafaj në golat e pësuar.
Por, pjesa e dytë do të fliste për Lazion. Sfida mes tyre u mbyll me barazimin spektakolar 3-3 me ekipet që fituan nga një pjesë secila.
Luis Muriel i dha avantazhin e dyfishtë skuadrës bergamaske në minutën e 23 dhe të 28, ndërkohë që në të 37 Alejandro Gomez e çoi në 3-0 rezultatin për Atalantën. Lazio ndërron fytyrë në pjesën e dytë dhe në 20 minutat e fundit të sfidës arrin të shënojë plot 3 herë. Imobile dhe Correa në harkun e 1 minute e çuan rezultatin në 2-3.
Atalanta pati një shans për të shënuar golin e katërt por e shpërdoroi atë, ndërsa Lazio zbatoi me përpikëri rregullin e pashkruar; po s’shënove do të pësosh teksa barazoi rezultatin 3-3 me Ciro Immobilen me këtë të fundit që shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit.