Zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka deklaruar nga studio e Real Story të Sokol Ballës në News24 se mazhoranca është e vendosur të ndjekë deri në fund procesin për shkarkimin e Presidentit Meta dhe që do dëgjojë rekomandimin e Komisionit të Venecias.
“A do ta dëgjojmë Komisionin e Venecias? Ne prandaj e pyetëm atë që ta dëgjojmë rekomandimin e tij. Komisioni, në asnjë germë nuk thotë që Presidenti nuk duhet shkarkuar”, deklaroi Spiropali. Sipas saj, Presidenti i Republikës e ka shkelur Kushtetutën, por kjo nuk do të thotë se Komisioni i Venecias do të jepte një verdikt në kontekstin politik. “Presidenti e ka shkelur Kushtetutën. Këtë e di dhe ai. Shkelja siç thuhet edhe Komisionin e Venecias është bërë për arsye politike. Ishte për të ndihmuar PD dhe LSI për të shkatërruar rendin ligjor. Meta mori kompetenca që as që i kishte. Është shumë e rëndë. Që nga janari i këtij viti, PD dhe LSI kanë qenë në sulm frontal për të prishur sistemin, kanë dalë nga parlamenti, kanë bojkotuar zgjedhjet, në një përpjeke të dëshpëruar për të hedhur në erë sistemin. Presidenti i Republikës i hodhi benzinë zjarrit, duke anuluar zgjedhjet. Presidenti i Republikës e bëri këtë sigurisht me qëllim. Në këtë kontekst ne mund ta gjykojmë. Venecia nuk mund të bëjë një vendosje në kontekstin politik të vendit. Atë e bën Kuvendi, ashtu siç thuhet në rekomandimin e Komisionit. Ne nuk jemi për të shkarkuar Presidentin, por jemi provokuar rëndë prej tij dhe ai ka humbur besueshmërinë. Është e vështirë të përmbahesh sepse vazhdimisht provokohemi, jo vetëm deklaratat e zëdhënësit, por edhe nga vetë presidenti, sulmohet jo vetëm qeveria, por edhe ministra”, u shpreh zëdhënësja e qeverisë në Real Story.
Duke folur për veprimet e Metës, Spiropali deklaroi se sipas leximit të raportit të Komisionit të Venecias, aty deklarohet se jo vetëm që Presidenti ka tejkaluar kompetencat, por ka marrë përsipër edhe kompetenca që nuk i takojnë. “Ai nuk e ka bërë për arsye të lehta, e ka bërë në një moment që Shqipëria ishte në disfavor me ndërkombëtarët. Ne do vazhdojmë me procesin ligjor, duke peshuar të gjithë paragrafët e rekomandimit të Komisionit të Venecias dhe do ta çojme këtë proces deri në fund.