Britania e Madhe do të angazhojë gati 200 pjesëtarë të ushtrisë, 100 prej të cilëve shoferë, që nga e hëna të ndihmojnë në dërgim të karburanteve nëpër stacione dhe të ndihmojnë në zbutje të krizës, që ka ardhur si mungesë e shoferëve. Qeveria britanike ka thënë të premten se shumë stacione të naftës kanë qenë të zbrazura më 1 tetor, si pasojë e një jave kaotike, meqë banorët kanë qenë në panik dhe janë përleshur nëpër pompa për të mbushur shishet e ujit me karburante.
Ministrat britanikë kanë insistuar disa herë gjatë javës se kriza ka kaluar, mirëpo shitësit në më shumë se 2,000 pika të shitjes, kanë thënë se kanë mbetur pa karburant dhe disa prej pikave janë mbyllur. Qeveria ka thënë se personeli ushtarak është duke kryer trajnimet e nevojshme për ta zbutur krizën.
“Teksa situata po stabilizohet, forcat tona të armatosura do të duhet të mbushin vendet e shoferëve dhe t’i ndihmojnë shtetit të ecë tutje”, ka thënë ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace. Të dielën e javës së kaluar, Qeveria britanike ka thënë se planifikon të lëshojë 5,000 viza për shoferë të huaj për ta zbutur mungesën. Disa shoferë kamionësh kanë thënë se do të refuzojnë vizat sepse afati kohor nuk është mjaftueshëm i gjatë.
Të premten, Qeveria ka ndryshuar planet, duke prezantuar një skemë, e cila do t’ua mundësojë 300 shoferëve të cisternave që të shkojnë në Britani të Madhe përkohësisht. Ata do të mund të punojnë në këtë shtet deri në mars të vitit 2022. Pjesa tjetër do të arrijë në fund të tetorit dhe në shkurt të vitit të ardhshëm.