Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dëshmitari i radhës i thirrur në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.
Beqaj ishte njoftuar të dëshmojë në orën 10:00 në Kryesinë e Kuvendit për rolin e tij në koncensionin e Sterilizimit. Por debatet në Komision e shtynë dëshminë e tij për në 12:10.
Kujtojmë se sa i përket ‘Sterilizimit’ Beqaj është nën hetim me masë “detyrim paraqitje”.
Në lidhje me “Sterilizimin”, Prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” ndaj Beqajt lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë Euro, në vitin 2015.
Ditën e djeshme në këtë komision ka dëshmuar biznesmeni Ilir Rrapaj (i arrestuar për koncensionin e Sterilizimit).
Që në nisje të dëshmisë, Rrapaj mohoi të kishte njohje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin tha se për herë të parë e kishte takuar në 22 Nëntor të 2013 në një aktivitet të zhvilluar nga qeveria dhe Kryeministri Rama në Pallatin e Koncerteve.
Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, ata janë në masë sigurimi detyrim paraqitje, pasi SPAK i akuzon për falsifikim dokumentesh në procedurën e dhënies së koncesionit në 2015.