Shkarkimi nga detyra i prokurorit Besnik Cani është cilësuar i padrejtë nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas GJEDNJ, në vendimin për Canin ka patur shkelje të Konventës, duke shtuar se atij i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor.
Pas shkarkimit, Cani e dërgoi çështjen në Gjykatën e Strasburgut me arsyetimin se gjykimi i tij ishte kryer në kundërshtim me rregullat e pranueshmërisë.
Gjithashtu, sipas nenit 46 (forca detyruese dhe zbatimi) Gjykata konstatoi se kompensimi më i përshtatshëm për shkeljen e të drejtave të kërkuesit do të ishte rihapja e çështjes dhe rishqyrtimi i saj në përputhje me kërkesat e nenit 6 § 1 të Konventës.
Nga ana tjetër Gjykata ka refuzuar kërkesën e ish-prokurorit Cani për rikthim të menjëhershëm në detyrë dhe për kompensim të dëmeve materiale.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani në shkurt të 2020, vendim i cili u mor me mungesën e burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurisë dhe cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Besnik Cani çoi për shqyrtim çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me argumentin se gjyqtari i tij ishte larguar nga funksioni i tij si gjyqtar, dhe ishte zgjedhur në shkelje të ligjit të vetingut, duke falsifikuar dokumentat dhe duke e fshirë nga jetëshkrimi i tij këtë fakt.