Sir Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në këtë rajon.
Peach, i cili mban titullin “Sir” do të marrë detyrën e re pas dorëheqjes nga detyra e shefit të Komitetit ushtarak të NATO-s më herët gjatë vitit, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2018.
Ai ka shërbyer më herët edhe si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.
Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë tjerë rreth rajonit dhe aleatë të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për të mbështetuar dhe forcuar stabilitetin rajonal.
Në njoftimin për emërimin e tij është thënë se i dërguari i posaçëm do të punojë në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe do të përkrahë punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt në Bosnje.
Schmidt ka paralajmëruar se Bosnje-Hercegovina është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë emëruar më herët gjatë këtij viti të dërguarin e ri të posaçëm për këtë rajon.
Gabrial Escobar e ka zëvendësuar Matthew Palmerin nga muaji shtator.
Aktualisht Palmer është i dërguar i posaçëm i SHBA-së për reformën zgjedhore në Bosnje-Hercegovinë.
Bashkimi Evropian ka të dërguar për këtë rajon zyrtarin, Mirosllav Lajçak./rel