Reagimet në Twitter i Presidentit të SHBA dhe liderit suprem të Iranit kanë nxehur gjakrat mes dy vendeve, ndërkohë që sot situata ka precipituar pranë ambasadës së SHBA në Bagdad, ku protestuesit kanë tentuar të hyjnë brenda selisë diplomatike, ndërsa trupat e sigurisë amerikane, kanë qëlluar me plumba gome.
Kjo situatë është agravuar, pasi lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, i është përgjigjur në Twitter akuzave të presidentit amerikan, Donald Trump, për përfshirjen e Iranit në sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad. “Nëse dikush na kërcënon ne do të përballemi me të dhe do ta godasim”, ka shkruar Khamenei. Kërcënimi i Khamenei vjen si përgjigje ndaj asaj të Trump i cili kishte postuar në Twitter: Irani do të mbajë plotësisht përgjegjësi për jetën e humbur, apo dëmtimet e pësuara në ndonjë nga objektet tona”.
Të premten mbrëma, një sulm raketor në bazën amerikane në Kirk në Irak vrau një kontraktues amerikan. Në shenjë hakmarrjeje, aeroplanët amerikanë bombarduan bazat e brigadave të Hezbollahut të dielën në mbrëmje, një fraksion pro-iranian në Irak i akuzuar si përgjegjës për sulmin, duke vrarë të paktën 25 luftëtarë dhe duke ngjallur zemërim të përgjithshëm.
Dje, procesi i varrimit të 25 të vdekurve devijoi në një sulm ndaj ambasadës amerikane në Bagdad, ndërsa protesta e dhunshme ka vijuar edhe sot. Personeli i sigurisë në ambasadën amerikane në Bagdad ka gjuajtur me gaz lotsjellës dhe plumba gome ndaj qindra protestuesve, pasi demonstratat në kompleks hynë në ditën e dytë. Protestuesit u panë duke provuar të ngjiteshin në muret e jashtme të ambasadës. Ata gjithashtu kanë hedhur gurë në ndërtesë dhe janë përpjekur ti vënë zjarrin kabinave të sigurisë në hyrjen kryesore të ambasadës.
Pas kësaj, mediat raportuan se Pentagoni po përgatit 4000 parashutistë për tu ulur në Kuvajt, pasi Trump tha se Irani do të “paguajë një çmim shumë të madh” për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Bagdad.
Brigada e Divizionit të 82-të të Ushtrisë Ajrore të Ushtrisë amerikane është urdhëruar për t’u vendosur me shpejtësi në Kuvajt dhe shpejt do t’i shtohen 750 të tjerëve që janë duke shkuar.
“Të paktën 750 paratrupa janë tashmë duke shkuar në Lindjen e Mesme”, konfirmoi Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper duke thënë se forcat shtesë janë të gatshme për t’u vendosur brenda disa ditëve. “Kjo vendosje është një veprim i duhur dhe parandalues i ndërmarrë si përgjigje e niveleve të rritura të kërcënimit ndaj personelit dhe objekteve amerikane”, – tha Esper. Një total prej 4,000 ushtarësh nga Brigada e 82-të janë njoftuar se do mbërrijnë brenda 96 orëve të ardhshme. Aktualisht, rreth 5000 ushtarë amerikanë janë vendosur në Irak.