Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmeve të SHBA dhe Izraelit në Iran, ndërsa i ka bërë thirrje për shpalljen e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste, duke theksuar se ka ardhur koha për veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata politike.
Në një reagim në “X”, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike duhet të trajtohen zyrtarisht si organizatë terroriste, jo vetëm përmes sanksioneve ndaj regjimit të Teheranit, por duke u përfshirë në listën ndërkombëtare të organizatave terroriste, ashtu siç kanë vepruar tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.
Rama theksoi se qëndrimi i Shqipërisë nuk lidhet vetëm me mbështetjen ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që kërkojnë paqe, apo me qëndrimet e aleatëve strategjikë, por mbi të gjitha me nevojën për veprim në një moment kur, sipas tij, “kërkohen akte dhe jo vetëm fjalë”.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria e ka përjetuar drejtpërdrejt agresionin e regjimit iranian përmes sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore shqiptare.
“Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë qëndrim. Do ta quajmë Gardën Revolucionare me atë që është dhe do ta përfshijmë në listën e organizatave terroriste”, deklaroi Rama, duke u bërë thirrje edhe vendeve të Bashkimit Europian të ndjekin të njëjtën linjë.
“Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe sapo të emërtohet, duhet të ndalet”, përfundon ai.
Edi Rama: Ka ardhur koha të presim çdo hezitim dhe të shkojmë drejt e në thelb.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike janë një organizatë terroriste dhe si të tilla duhet të trajtohen. Jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e përfshirë në listën e organizatave terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.
Jo vetëm sepse qëndrojmë të palëkundur në krah të Izraelit dhe vendeve vëllazërore arabe që kërkojnë paqen.
Jo vetëm sepse mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen e tyre ushtarake ndaj Izraelit sot, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump.
Jo vetëm sepse Bashkimi Europian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe sot natyrën vrastare të regjimit të Teheranit.
Por mbi të gjitha, në një ditë si kjo, kur kërkohen veprime dhe jo vetëm fjalë, për të nderuar viktimat e pafundme të pafajshme të Gardës Revolucionare Islamike.
Shqipëria e ka përjetuar drejtpërdrejt fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore.
Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë qëndrim. Do ta quajmë Gardën Revolucionare me atë që është dhe do ta përfshijmë në listën e organizatave terroriste, si dhe u bëjmë thirrje miqve tanë europianë të bëjnë të njëjtën gjë.
Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar njëherë e përgjithmonë që vrasësit në Teheran të sigurojnë armë bërthamore apo çfarëdo kapaciteti tjetër ushtarak për të dëmtuar Izraelin apo çdo komb tjetër paqedashës në Lindjen e Mesme.
Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe sapo të emërtohet, duhet të ndalet.
