Sulmet kibernetike, Hasani flet në Komisionin për Dezinformimin: Bashkëpunojmë me NATO e BE

BOTA


Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot në Komisionin e Posaçëm për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes në proceset demokratike se edhe Shqipëria përballet me kërcënime të vazhdueshme hibride.

“Një nga sfidat më shqetësuese të shoqërisë sonë mbetet dezinformimi. Ky fenomen po përballet në çdo shtet, përfshirë edhe Shqipërinë dhe po dëmton shumë shtylla të shoqërive tona demokratike. Në një kohë kur informacioni i rremë dhe manipulativ shpërndahet me qëllim polarizimin e opinioneve dhe shoqërisë dhe minimin e besimit te institucionet, është e rëndësishme të kuptojmë se nuk është thjesht një mjet për të krijuar konfuzion, por një armë që po përdoret për të destabilizuar, për të ndikuar në proceset politike dhe për të minuar demokracitë duke përdorur mjete të sofistikuara për të mbështetur axhenda të dëmshme”, vuri në dukje ai.

“E kur sfidat dhe kërcënimet hibride janë në rritje, dialogu ndërkombëtar, por edhe ai kombëtar është më i rëndësishëm se kurrë. Rritja e qëndrueshmërisë së informacionit, shkëmbimi i eksperiencave më të mira janë masa të nevojshme për të përforcuar qëndrueshmërinë kombëtare për të ardhmen”, u shpreh Hasani.

Ministri tha se jo vetëm rajoni, por edhe vendi ynë po përballen në mënyrë të vazhdueshme kërcënime hibride.

“Ballkani Perëndimor, përfshirë dhe vendin tonë dhe ndikimet e jashtme që shpesh janë të lidhura me dezinformimin dhe manipulimin e informacionit janë të pranishme dhe përbëjnë një kërcënim real për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Në këtë kontest, rajoni ynë përballet me sfida të shumta, nga konfliktet e brendshme politike te ndikimi i faktorëve të jashtëm hibrid. Ne po përballemi me taktikat hibride dhe ndryshime thelbësore politike, bashkë me përpjekjen për të trazuar paqen dhe integrimin euroatlantik të vendeve tona.  Si partner i besueshëm i Bashkimit Europian, por edhe si vend aleat dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria është e angazhuar të përballet me këto sfida dhe të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë rajonale ndërkombëtare”, vijoi kryediplomati Hasani.

Për këtë qëllim, sipas tij, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka ndërmarrë disa sfida për të përmirësuar mbrojtjen ndaj dezinformimit.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar zhvillon mekanizmat e tij që ndihmojnë në parandalimin dhe reagimin ndaj mekanizmave hibridë që përfshijnë në thelb, dezinformimin. Ky bashkëpunim do të përfshijë organizata si NATO, BE apo OSCE, por edhe mekanizma të tjerë që ofrojnë mbështetje teknike dhe financiare. Nënshkrimi i memorandumit me SHBA-të në 15 shkurt të këtij viti, për luftën ndaj dezinformimit do të lejojë zhvillimin e politikave të përbashkëta për të luftuar dezinformimin dhe përmirësuar aftësitë tona për të reaguar ndaj ndaj kërcënimeve hibride. Një marrëveshje të ngjashme do e nënshkruajmë shumë shpejt me Italinë. Shqipëria është anëtare e qendrës së ekselencës për kërcënimet hibride në Helsinki Finlandë duke u bërë zyrtarisht, vendi anëtar i i 36 që bashkohet kësaj qendre që ka vende të BE dhe NATO. Pjesëmarrja jonë forcon bashkëpunimin rajonal dhe global ndaj kërcënimeve hibride. Po punojmë për të përmirësuar politikat ndaj tyre dhe jo vetëm”, u shpreh ministri Hasani.

Deputetja Enslemvera Zake e pyeti ministrin Hasani në lidhje me masat shtrënguese me karakter diplomatik që ka ndërmarrë Ministria e Jashtme, koordinuar me Inteligjencën Artificiale, ku flitet për daljen e Shqipërisë nga lista e Moneyval e pastrimit të parave.

Ministri Hasani tha se ai dhe ministria që ai drejton janë të gatshme të ofrojnë informacione në format tjetër për Moneyval-in, ku do të angazhohet edhe Ministria e Financës për këtë çështje.



Skip to toolbar