Vetëm një pushtetar i korruptuar mund t’i shpallë luftë Amerikës dhe BE-së. Kështu i komenton ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi sulmet e presidentit Ilir Meta kundër ndërkombëtarëve. Brozi i cilëson si të turpshme shantazhet ndaj ambasadorëve.
“Mirënjohje e falënderim Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE dhe ambasadorëve në Shqipëri! Vetëm ai pushtetar i korruptuar dhe që i frikësohet reformës në drejtësi i shpall luftë Amerikës dhe Bashkimit Europian dhe guxon të shantazhojë në mënyrë burracake e të turpshme ndonjë ambasador a person publik të respektuar”, shkruan ai.
Presidenti Ilir Meta ka sulmuar ashpër ambasadorët e huaj në Tiranë, madje disa prej tyre i ka cilësuar palaço, ose grup i strukturuar që janë të korruptuar nga kryeministri Rama. Këtyre akuzave nuk i ka shpëtuar as ambasada Amerikane në Tiranë e cila duket se u bë shkak për shpërthimin e presidentit pasi sugjeroi që ngërçi në Gjykatën Kushtetuese të zgjidhet nga Komisioni i Venecias. Ky propozim nuk u pranua nga presidenti për shkak të precedentëve të mëparshëm ku Venecia ka pranuar që anëtarët e Kushtetueses ta kryejnë betimin pranë institucionit që i ka emëruar dhe jo përpara presidentit, duke zhvlerësuar rolin e tij.