Sulmi ndaj SHBA dhe BE, Rama: Meta si Vojo Kushi me kravatë e Mic Sokoli me kostum banje

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama e ka sulmuar fort Presidentin në seancën për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e tij vetëm pak orë para protestës së dhjetë të opozitës, ndërsa ka kërkuar nga të gjithë deputetët të votojnë këtë propozim, pasi sipas tij, Meta, jo vetëm e ka mbushur kupën, por e ka derdhur atë. Rama i ka kthyer përgjigjen Metës me të njëjtën thirrje, që kreu i shtetit i bëri para zgjedhjeve për të anuluar 30 qershorin, duke iu drejtuar me fjalën “reflekto”, kur i bëri thirrje që të ndalonte thirrjet kundër ndërkombëtarëve, duke e cilësuar atë si Vojo Kushi me kravatë mbi çatinë e ambasadës së BE.

“Me shtrirjen e rrezes të agresionit të tij mbi miqtë dhe partnerët amerikanë na turpëron të gjithëve si deputetë, edhe ty si qytetar, si popull, si shtet. Si mund të ketë Shqipëria sot në NATO, kandidate për në BE, një kryetar shtetit që duket si aktor komik që imiton presidentin. Që kur flet seriozisht të bën për të qeshur, kur flet me të qeshur të bën për të qarë. Një kryetar shteti që e paraqet veten një Vojo Kushi me kravatë mbi çatinë e ambasadës së BE dhe që e imagjinon ambasadën amerikane si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banje. Sëmundja e vërtetë e këtij kreu shteti është ajo e personazhit të Dostojevskit, që gënjen veten për të gënjyer tjerët, prandaj ai është i sëmurë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje presidentit Ilir Meta të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë. Ai tha se deputetët e rinj duhet ta votojnë komisionin që të mos e zhysin veten në batakun ku presidenti do ta zhysë Kuvendin.

“I bëj thirrje të reflektojë dhe të mbledhë veten e shpërndarë. Të ndërpresë çdo sulm ndaj SHBA, çdo sulm ndaj parlamentit. Të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm me postin e tij ku duhet të sillet në zbatim të kushtetutës. Të ndalojë paralelizmat me figurat të njohura të historisë, por kjo mbetet një vërejtje miqësore. Çdo deputet duhet ta votojë komisionin për të mos zhytur veten e tij në batakun ku presidenti do ta zhysë këtë parlament”, tha Rama.



Skip to toolbar