Komisioni i Etikës ende nuk ka zhvilluar një mbledhje në lidhje me kërkesën e grupit parlamentar të PS për marrjen e masave ndëshkimore ndaj deputetëve të PD, Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi, mbi sjelljen e djeshme në Komisionin e Medias me Flutura Açkën.
Sipas informacioneve kërkesa e deputetëve socialistë nuk përfshin masë ndëshkimore vetëm për rastin e djeshëm, por edhe për sjelljen e dy deputetëve në seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar.
Sipas rregullores së re të miratuar në fund të dhjetor të vitit të kaluar, deputeti do të përjashtohet deri në 30 ditë në rastet kur; përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave apo të Gardës së Republikës; kur përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e cdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave/mbledhjes; dhe kur kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
Ndërsa përjashtim deri në 60 ditë, do të ketë në rastet kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit brenda mjediseve të Kuvendit; kur kryen veprime / sjellje që përbëjnë shkeje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal; dhe kur kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6.