Ka shkuar në 15 numri i viktimave në sulmin e ndodhur në New Orleans në SHBA mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Nga sulmi me kamion mes turmës së njerëzve kanë mbetur të plagosur të paktën 35 të tjerë. Incidenti ka ndodhur në rrugën Bourbon, një nga zonat më të njohura për festimet e fundvitit, ku turmat ishin mbledhur për të festuar ndërrimin e viteve.
Drejtuesi i kamionit, i identifikuar si Shamsud-Din Jabbar, një veteran i ushtrisë amerikane nga Teksasi, është përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë pas sulmit dhe ka humbur jetën. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka cilësuar këtë akt si një akt me “dëshirë për të vrarë,” duke theksuar natyrën e rëndë të sulmit.
Në një deklaratë të lëshuar nga FBI, thuhet se një flamur i grupit të Shtetit Islamik është gjetur në kamionin e përdorur për sulmin, duke i dhënë ngjyrë dyshimeve për një akt të mundshëm terrorizmi. Hetuesit kanë theksuar se ndonëse Jabbar ishte kryesori në këtë ngjarje, ata besojnë se ai mund të ketë pasur bashkëpunëtorë.
Autoritetet janë ende duke hetuar motivet e sulmit, dhe kanë kërkuar ndihmën e publikut për informacione shtesë lidhur me ngjarjen.