Sulmohet gazetari në Kosovë quajti të turpshme vizitën e Vjosa Osmanit në Tiranë

KOSOVA


Në Kosovë shoqata e gazetarëve , punonjësit e medieve por edhe udhëheqës politik, e dënuan ashpër të martën një sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, aktualisht drejtor në Gazeta Metro.

Policia tha se po e trajton njoftimin për sulmin ndaj gazetarit Syla, që në një video të shpërndarë në rrjetet sociale shihet duke u qëlluar nga një person i panjohur.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bëri thirrje organeve të drejtësisë që “sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias. Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla, pasoi disa shkrime të tij kryesisht në rrjetet sociale rreth diasporës së Kosovës, vizitave të mërgimtarëve me rastin e festave të fund vitit në kohë pandemie, si dhe shkrimeve mbi vizitën e Presidentes Vjosa Osmani në Tiranë, të cilën e quajti të turpshme.

Në reagimet e gazetarëve dhe zyrtarëve politikë thuhet se mospajtimet me qëndrimet e zotit Syla duhet të sqarohen në rrugë ligjore dhe jo përmes sulmeve si ai i së martës.



Skip to toolbar