Avokat Spartak Ngjela, i ftuar në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, komentoi krizën dhe përplasjen mes Presidentit, KED dhe Kuvendit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Spartak Ngjelës, emërimi i Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese nga Ilir Meta, është jo vetëm shkelje e rëndë, por e çon Presidentin drejt veprës penale.
“Emërimi i Xhaferllarit e çon automatikisht në shkelje të rëndë. Është duke shkuar në vepër penale me veprimet e tij. Ka kaluar radha, radhën e cakton KED në bazë të Kushtetutës”, tha Ngjela. Më tej, ai argumentoi se Ilir Meta ka konflikt interesi me emërimin e Marsida Xhaferllarit. “Emërimi i parë i tij me Besnik Muçin nuk është konflikt interesi. Te kjo e dyta del në konflik interesi. Këtu ka bërë shkelje dhe e ka bërë në interes të tij”, tha Ngjela.
Të njëjtin qëndrim mban dhe analisti Arion Sulo, lidhur me emërimin e Marsida Xhaferllarit. Sipas tij, Presidenti shkeli Kushtetutën duke emëruar Xhaferllarin si anëtare të kushtetueses. “Zgjedhja e Marsida Xhaferllarit nga presidenti është shkelje kushtetuese”, tha Sulo. Ndërkohë, lidhur me kallëzimin penal të Ilir Metës ndaj Ardian Dvoranit, Spartak Ngjela u shpreh se s`mund të bëhet.
Sipas tij, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ kolegjial, ndaj vendimet i merr në mënyrë kolegjiale. Kjo e liron nga përgjegjësia një anëtar të vetë. “Kallëzimi penal ndaj Dvoranit! KED është organ kolegjial. Ai ka vetëm një votë dhe nuk mund të ketë përgjegjësi për vendimet kolektive. Meta është shumë i rënduar”, tha Ngjela. /Realstory.al/