Situata dukej e qetë të hënën në veri të Kosovës, ndërsa rruga që çon për në fshatin Banjskë vazhdon të jetë e mbyllur nga njësitë e posaçme të policisë. Një ditë më parë në këtë fshat një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur. Tre nga sulmuesit mbeten të vrarë, ndërsa policia tha se gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të këtij fshati ku ishin strehuar sulmuesit.
“Një veturë rëndë e blinduar, vetura xhip 24 copë, motorë 4×4 2 copë, mina kundër këmbësorisë 8 copë, zolla të mbushura 29 copë, predhë minahedhësi 82 milimetërsh 54 copë, predhë minahedhës 62 milimetërsh 88 copë, granatë dore 75 copë, mina antitanke 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë, detonarë elektrikë 23 copë”, tha gjatë një konference me gazetarë në jug të Mitrovicës, drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.
Zoti Hoxha numëroi edhe sasi tjera të armatimit të sekuestruar, ndërsa tha se ende po vazhdon mbledhja dhe identifikimi i armatimit në zonë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të hetimeve të deritashme disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, organizata këto që Kosova i ka shpallur si terroriste më herët gjatë këtij viti.
“Nga kjo sasi e madhe e armatimit lehtësisht mund të kuptohet se ka pasur një plan të përfshirjes së qindra personave për destabilizimin e vendit tonë. Në armatimin që do të shihni ndër të tjera ka edhe armë ushtarake të vitit 2021 që janë furnizim nga ushtria e Serbisë”, tha ministri Sveçla.