“Sy m’Sy”/ Rama reagon ndaj komenteve për energjinë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka pasur një reagim të dytë pas atij të ditës së djeshme sa i takon komenteve dhe pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

Duke veçuar një nga komentet në faqen e tij në Facebook, Rama u ka dhënë përgjigje kritikëve që thonë se çmimi i energjisë mbetet i lartë, pasi Shqipëria po e prodhon vetë të gjithë energjinë e nevojshme.

Kryeministri u shpreh se kjo nuk është e vërtetë pasi Shqipëria prodhon 75% të nevojave të veta në një vit të mirë hidrik dhe vetëm 65% në një vit të thatë pa reshje.

Mirëmëngjes nga Partia Socialiste. Kjo është një legjendë mediatike pa asnjë lidhje me realitetin. Shqipëria prodhon 75% të nevojave të veta në një vit të mirë hidrik, pra kur ka reshje të bollshme dhe vetëm 65% në një vit të thatë, por ne do ta prodhojmë vetë energjinë të gjithën për nevojat tona brenda vitit 2030 kur do të kemi fituar sovranitetin energjetik me realizimin e investimeve të programuara që po vazhdojnë për prodhimin nga dielli, por edhe nga era si edhe për dy modelet inovative të pompimit të ujit në kaskadën e Drinit dhe atë të Devollit ku po punojmë me partnerët tanë norvegjezë”, tha Rama.

Ndër të tjera kreu i qeverisë e ka quajtur historike uljen e çmimit të energjisë teksa shprehet shumë krenar për këtë arritje.

“Ulja me 10.5% e çmimit të energjisë është historike për faktin që është e para ulje në 35 vite dhe është e vetmja ulje për në këtë pjesë të botës pas krizës së luftës në Ukrainë. Është fryt i një arritje historike në transformimin rrënjësor të sektorit në dekadën e fundit. Jo pra nuk është aq, por është 10.5% ulje dhe është në fakt çmimi më i ulët historik i energjisë dhe prandaj jam vërtetë krenar që e arritëm këtë kur mendoj që u nisëm nga buza e humnerës”, tha kryeministri Rama.

Rama theksoi se vendi ynë është i pari në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore nga familjet dhe bizneset

“Edhe njëherë, jo ne nuk e prodhojmë vetë për të gjitha nevojat tona energjinë. Kjo është një legjendë mediatike siç e shpjegova pak më parë, ndërsa po kemi bërë shumë më tepër se ç’kishim nga koha e komunizmit dhe po të jap dy shifra. Sot 10% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë e kemi nga dielli. E kishim zero deri para disa vitesh dhe brenda 2030 do të arrijmë në 30% sepse vazhdojnë investimet. Tjetra, sot jemi të parët në rajonin tonë për vetëprodhim të energjisë diellore nga familjarët dhe bizneset falë politikës mbështetëse të qeverisë me 196 megavat, Serbia e dyta me 51 dhe pastaj një grup tjetër Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut me 14-18 mega vat. Ejj Shqipëria po bëhet dhe nuk duhet të duash qeverinë për ta pranuar këtë”, përfundoi Rama.



Skip to toolbar