Synimi i Turqisë për t’u bërë fuqi e madhe detare alarmon fqinjët e saj

BOTA


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan së fundmi inauguroi një nëndetëse të re të ushtrisë së Turqisë.

Së bashku me një helikopterë-mbajtëse, fregata të reja dhe mbi dhjetëra luftanije të tjera në ndërtim e sipër, kjo është pjesë e përpjekjes së Erdoganit për ta bërë marinën turke ndër më të mëdhatë në Evropë.

“Kjo i shërben agjendës politike të Erdoganit për të ushtruar ndikim jashtë shtetit nga Katari në Somali e deri në Libi, në mënyrë që t’i përshtatet vizionit të tij. Për marinën, kjo do të thotë një rol më të madh në mbrojtjen e vendit, jo vetëm mbrojtjen territoriale, por mbrojtjen e interesave jashtë vendit”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has, Serhat Guvenc.

Turqia ka baza ushtarake në Katar, Libi dhe Somali, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje detare.

Ankaraja thotë se zgjerimi i pranisë së saj detare është pjesë e trajtimit të kërcënimeve rajonale në rritje dhe ndihmës në përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO.

“Të gjitha qendrat e konfliktit janë përreth Turqisë, në Detin e Zi, në Mesdhe dhe në Detin e Kuq. Kështu që modernizimi i tanishëm turk është i dobishëm për NATO-n dhe sigurinë e aleatëve perëndimorë. Kjo gjithashtu rrit sigurinë e naftës dhe lirinë e lundrimit”, thotë këshilltari presidencial Mesut Casin.

Por fuqia detare në rritje e Turqisë po shkakton shqetësim tek fqinji i saj, Greqia, e cila ka një sërë mosmarrëveshjesh territoriale me Ankaranë në Detin Egje dhe Detin Mesdhe.

Edhe Izraeli po shpreh shqetësim për zgjerimin detar të Turqisë dhe dislokimin e dronëve ushtarakë në Qipron veriore, të kontrolluar nga Turqia.

“Unë mendoj se një pjesë e këtij angazhimi më të madh të marinës turke dhe rritja e pranisë ushtarake në Qipron Veriore, përfshirë bazën e dronëve, do të përdoren edhe kundër Izraelit. Kjo nuk do të thotë se do të ketë një konfrontim të drejtpërdrejtë, por tani ushtria izraelite duhet ta marrë parasysh këtë zgjerim ushtarak”, thotë Gallia Lindenstrauss nga Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Edhe Greqia po modernizon marinën e saj, duke përmendur kërcënimin turk.

Analistët turq thonë se Ankaraja është e shqetësuar për praninë në rritje detare të Izraelit në Mesdheun Lindor.

“Ky është një rreth vicioz. Turqia ndërtoi një marinë të re në përgjigje të këtyre kërcënimeve dhe tani fqinjët e saj thonë se po përballen me kërcënime nga zgjerimi i forcave detare të Turqisë. Kjo është një garë armatimi dhe për fat të keq garat e armatimit nuk përfundojnë mirë”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Serhat Guvenc.

Kantieret turke po punojnë me kapacitet të plotë për të përmbushur kërkesat në rritje të forcave detare të vendit, të cilat analistët thonë se ka të ngjarë të shtojnë frikën dhe dyshimet e fqinjëve të saj mbi qëllimet e Ankarasë./VOA



Skip to toolbar