Nga Skënder Minxhozi
Të dish të heshtësh, shumë shpesh, është po aq e rëndësishme sa të dish të flasësh. Një mësim i thjeshtë jete për cilindo që ka provuar me pezmatim koston e fjalëve të thëna pa vend. E kishte një rast për të heshtur edhe presidenti i Republikës sot, më 21 janar, por vendosi ta shpërfillë. Paçka se Ilir Meta është ndoshta njeriu më i interesuar në këtë vend, që të mos hyjë në hollësitë e kësaj date, kur fati i tij politik u përkthye brenda orësh në një tragjedi që vazhdon të mbajë pezull një pjesë të kujtesës tonë kolektive.
Lexojeni çfarë na thotë sot Presidenti për 21 janarin e vitit 2011: Ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme! Pra, sipas presidentit, edhe nëntë vjet pas atij krimi shtetëror të pandëshkuar ende, teorema mbetet ajo më banalja, e prodhuar pak orë pas vrasjeve: opozita manipuloi protestuesit, ju mbushi xhepat me gurë dhe i yshti për dhunë ndaj godinës së qeverisë dhe i shtyu drejt dhunës.
Se ç’ndodhi më pas, se cila qe dinamika e asaj që pasoi, fajtorët e humbjes së jetëve, e vërteta mbi shkallën dhe përmasat e dhunës, tensioni real që u prodhua në bulevard, sjellja e policisë, Gardës, fakti që vetëm njëra palë posedonte dhe përdori armë, vendi ku u vranë viktimat (larg perimetrit të Kryeministrisë) – të gjitha këto nuk kanë as edhe një gram rëndësi për Ilir Metën. Për të ka rëndësi të kapet fort, si aleati i tij më jetëgjatë në politikën shqiptare, Sali Berisha, pas qerres pa rrota të grushtit të shtetit, të cilën s’e besoi as edhe për sekondë as ai që e shpiku.
Deklarimi i Presidentit se 21 janari ishte fryt i protestuesve të manipuluar, e jo i shtetit me kobure në brez e të dalë mendsh, është në fund të fundit një përpjekje e tij për të shpëtuar alibinë politike të janarit 2011. Kjo duket dhe është e lexueshme që larg. Pyetja është një tjetër: përse Ilir Meta kërkoi të zbulojë kot petët e këtij lakrori të sikletshëm sot, kur mund të kishte hedhur në rrjetet sociale ndonjë nga fotot me ngjitje malesh apo me fitoret e Celltikut? Pse kërkoi të kthehet në vendin e një krimi shtetëror, duke e ditur se 21 janari është një ndër ato ngjarje kur shteti ka vetëm alibinë qesharake dhe krejt cinike “s’kam faj unë pse erdhët, meqë erdhët ju vrava”!
Është krijuar një komision hetimor për puçin e 21 janarit. Njëri ndër turpet e parlamentarizmit shqiptar. Një komision me tre kryetarë që shkonin e vinin, por pa raport final. Kërkojeni raportin final të këtij komisioni, pyesni edhe juristët e famshëm të PD në Kuvend që kanë qenë anëtarë të tij. Ku e kanë raportin nal të punës së tyre hetimore? S’ka raport sepse s’ka patur puç! Ka patur vetëm një vrasje në seri në bulevard, e që sot Ilir Meta bën sikur s’e kujton. Logjika e Presidentit rezonon në mënyrë shumë të çuditshme me atë që ndodhi vitin e shkuar në të njëjtin vend, pra tek kryeministria.
Me këtë manipulimin e protestuesve që thotë Meta, i bie që në dhjetë protestat e dhunshme të opozitës nga shkurti deri në majin e vitit 2019, të ishin vrarë nja 50-60 veta dhe qeveria të mos merrte asnjë përgjegjësi mbi vete. Sepse, siç ka thënë Presidenti, “ai 21 janar na kujton se politika ka përdorur dhunën për të arritur objektivat politike në mënyrë të pandershme”. Po e berë në det, thonë vlonjatët, kripa ta sjell në gjellë. 21 janari tashmë është një ngjarje që mund të zbardhet vetëm nga SPAK. Është detyrim historik ndaj të vrarëve, që të bëhet transparencë mbi atë akt ekstrem të papërgjegjshmërisë shtetërore. Ndoshta kështu do të moderojnë fjalët edhe ata që janë mësuar të vijojnë me përrallat bajate të propogandës zyrtare të asaj kohe të çmendur, kur shteti vriste shtetasit e vet…