S`pagoi akcizën, 700 mln lekë gjobë fabrikës, bllokohen 500 mijë litra birrë

Drejtoria e Tatimeve ka bllokuar një sasi prej 500.000 litra birrë në Kashar, e cila ishte hedhur në treg pa paguar detyrimet e akcizës, që kapnin vlerën prej 17.6 milionë lekësh. Lajmin e ka dhënë Ministrja e Financave Anila Denaj, e cila ka qenë e pranishme në fabrikën e birrës ku u bë bllokimi i mallit, duke i kërkuar subjekteve që të marrin masa, pasi në momentin e dytë që konstatohet shkelja, gjoba do të pesëfishohet ndaj çdo biznesi.

Ndërkohë, lidhur me biznesin në fjalë, tatimet i kanë vendosur një gjobë prej 700 milionë lekësh të vjetra, ose sa trefishi i detyrimit të akciëz, që biznesi duhet të paguante ndaj shtetit. Prej disa ditësh ka nisur aksioni kundër informalitetit në të gjithë vendin, ku janë bllokuar shumë biznese, të cilët janë gjetur në shkelje.

Ky aksion nuk ka kursyes as bizneset e mëdha, ku në shumë raste, janë bllokuar hotele, bare e restorante, apo biznese të tjera, të cilat kanë pasur detyrime pa paguar ndaj shtetit, apo nuk kanë respektuar dhënien e kuponit tatimor. Gjithashtu, paralelisht, Policia e Shtetit ka nisur një aksion kundër informalitetit në zonat detare, duke liruar hapësirat e plazheve që janë zaptuar në mënyrë të paligjshme nga bizneset private.

Skip to toolbar