Socialistët do t’i kalojnë ditët e nxehta të korrikut mes shifrash. Llogaritja e rezultateve të 30 qershorit dhe krahasimi me votën politike të vitit 2017 dhe votës së veçuar nga koalicioni në zgjedhjet e vitit 2015 do të jenë pasqyra e vlerësimit në Asamblenë e fund korrikut.
A2 CNN ka bërë llogaritjen e 12 bashkive kryesore në vend si qendër qarku, ku nga rezultatet e këshillave bashkiakë, që shquhet vota për siglën e partisë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2015, duket një thellim i rezultatit në adresë të Partisë Socialiste, me 73 496 vota.
Kështu, për qarkun më të madh në vend, Tiranën, në vitin 2015, ku garonte po Erjon Veliaj, PS kishte marrë 108 290 vota, ndërsa më 30 qershor, 138 090 vota, me një diferencë gati 30 mijë vota. Duhet nënvizuar se këto vota janë vetëm për siglën e Partisë Socialiste, pa votat e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Në vitin 2015, socialistëve iu shtuan edhe 54 mijë votat e LSI dhe disa mijëra të tjera nga aleatët e vegjël. Në vijim të kësaj logjike, diferenca e votave ndihet më shume në Fier, me 11 273 vota mbi rezultatin që vetë Armando Subashi kishte marrë në vitin 2015. Renditet I treti Elbasani, që ka shtuar votat e socialistëve me 10 248 vota më shumë se sa rezultati që pati paraardhësi i Gentian Llatjas, Qazim Sejdini.
Në listë vijon Vlora, Durrësi, Berati, Kukësi e Shkodra. Ndërsa diferencën më të vogël e ka bërë Lezha me vetëm 765 vota mbi rezultatin e vitit 2015, dhe e fundit Dibra me vetëm 315 vota shtesë. Nëse shohim rezultatet e vitit 2015, duket se këto janë vota të marra nga LSI, që ka pasur rezultatin e dytë më të mirë pas PS në koalicion.
Megjithatë, duhet të sjellim në vëmendje se në të dhënat krahasuese të vitit 2019, ne kutitë e votimin në 10 bashki, u gjetën më shumë fletë votimi se votues. Fenomenin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e justifikoi me faktin se të dhënat ishin përcjellë me telefon, dhe rrugës mund të ketë pasur lapsuse në llogaritje. Gjithsesi, analiza e votës do të tregojë në Asamblenë e Përgjithshme të PS, nëse do të ketë “prerje kokash” për ata që nuk kanë arritur objektivat e partisë, apo ngritje në detyrë për ata që kanë pasur performancën më të mirë.