SPAK do të jetë gati në nëntor. Ky është vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas rekomandimit të Komisionit të Posaçëm, që propozoi hapat e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, Komisioni i Posaçëm do të përgatisë aktet e nevojshme për t`u miratuar, ku në vendim është përcaktuar që fillimisht, pjesë e SPAK, do të emërohen 8 prokurorë të cilët kanë kaluar Vettingun. Gjithashtu, së bashku me emërimin e 8 prokurorëve të SPAK, do të bëhet dhe caktimi i përkohshëm i drejtuesit të kësaj strukture, deri në kryerjen e procedurave për zgjedhjen e drejtuesit sipas rregullores.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë ndërprerjen e caktimeve të përkohshme për prokurorë që janë të emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por janë emëruar në prokurori të tjera. Pra, kështu do të pushojë së funksionuari Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi rolin e saj do ta ketë Prokuroria Speciale, që pritet të jetë në funksion në muajin nëntor. Gjithashtu, Gent Ibrahimi do të duhet të koordinojë punën me Këshillin e Lartë Gjyqësor, për të marrë në mënyrë të njëkohshme vendimet për Gjykatën e Posaçme, e cila do të zëvendësojë në rastin konkret Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Kështu, krijimi i këtyre dy organeve në të njëjtën kohë, i hap rrugë një tjetër procesi të rëndësishëm, hetimit dhe dërgimit përpara drejtësisë të kriminelëve me profil të lartë apo zyrtarëve publik që kanë abuzuar me detyrën apo kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Ngritja e SPAK është një nga institucionet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që merr dritën jeshile të krijimit pas mbështetjes publike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurorët që do të emërohen të parët, sipas listës së KLP, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra. Të gjithë këta prokurorë kanë kaluar Vettingun dhe janë gati të hetojnë dosje të rëndësishme dhe të dërgojnë përpara drejtësisë “peshqit e mëdhenj”.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i KLP Gent Ibrahimi u shpreh se nreda muajit nëntor do të emmërohen 8 prokurorët e parë të SPAK dhe drejtuesi i këtij institucioni, që do të përcaktojë organikën e saj. “Ne sot arrijmë përfundimin se ngritja me 8 apo 10 nuk na përket ne. Vendimin për dyshmenë e ka marrë kushtetutë-bërësi. SPAK është një institucionin kushtetues. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të fiksojë organikën e saj. Ne emërojmë ata që mundemi dhe për momentin mund të emërojmë vetëm 8. Mendoj se deri në nëntor mund të kemi të ngritur SPAK. Ne kemi bërë llogarinë që të marrim të gjitha vendimet e nevojshme. Këshilli nuk e gjykoi të përshtatshme linjën e veprimit dyshemenë me 10 anëtarë. Nuk na takon ne ta marrim këtë përgjegjësi. Drejtuesi i SPAK do të plotësojë organikën. Ne po emërojmë prokurorët për SPAK, ne nuk marrim vendimin për krijimin e SPAK. Ne nuk e shkelim kushtetutën për ngritjen e SPAK me 8 anëtarë”, tha Ibrahimi.
/Realstory.al/