PD: “Policia dhunoi qytetaren në Dibër”. Por mjekët thonë gjë tjetër

Partia Demokratike shpërndau një video këtë të shtunë, ku  pretendonte se një qytetare nga Peshkopia ishe dhunuar nga forcat e policisë mëngjesin herët të së shtunës. Në videon e shpërndarë nga PD, shfaqet në spital një zonjë, e quajtur Afërdita Shehi, e cila ndodhej nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Peshkopisë. Ndërkohë, një afërm i saj, Korab Shehi, pretendon se zonja është dhunuar nga forcat e policisë, duke treguar edhe ngjarjen.

“Ishte ora 03.00 e mëngjesit. Unë rri në kat të parë dhe në kat të dytë dhe të tretë i kishin thyer dyert të gjitha. Kur dola unë ata po zbritnin poshtë. Ishin me maksa, kallashnikov dhe gjithçka. Në atë kohë u thashë: Çfarë është? Jo skemi punë, më tha kush je. I thashë emrin, pastaj ata shkuan te nusja e kushëririt. Ngaqë e dija që ishte me 3 fëmijë të vegjël  shkova atje. Kur shkova atje, ata aty më shtynë, nuk më lanë dhe më përplasën për mur. Nuk më lanë që të shkoj aty. E dija që kishte për ti rënë të fikët nuses së kushëririt. Asaj i ra të fikët në rrugë, ndërsa djali i kushëririt shkoi të marrë makinën, policët i thanë; lere të vdesë në rrugë, sepse i ra të fikët në rrugë. Policët na kanë godit mua dhe djalin e kushëririt, na kanë rrahur. I kanë futur dhe në furgon dhe i kanë rrahur me shkop gome, plus që e kanë godit dhe në fytyra”, shprehet Korab Shehi, i afërmi i zonjës që ka marrë shërbim mjekësor në spitalin e Peshkopisë.

Këtë lajm Partia Demokratike e ka shpërndarë për mediat, duke e cilësuar si dhunë të uniformave Blu ndaj qytetarëve. Por, a është kjo e vërteta? Të paktën këtu është vetëm njëra palë që flet duke treguar njërin version të ngjarjes. Ndërkohë, ka dhe një tjetër version, që sqaron nëse është ushtruar dhunë, apo, znj.Afërdita Shehi, ka pasur probleme të tjera shëndetësore. Shefi i Urgjencës në Spitalin e Peshkopisë, Hajri Lusha, ka sqaruar atë çfarë ka ndodhur me pacienten Afërdita Shehi. Z.Lusha tregon se pacientja nuk ka pasur shenja dhune dhe nuk është trajtuar për dhunë gjatë paraqitjes së saj në urgjencën e spitalit të Peshkopisë, rreth orës 03:30 të mëngjesit të së shtunës. Sipas tij, pacientja Afërdita Shehi ka pasur gjendje të rënduar emocionale, pasi një afërm i saj është ndaluar nga policia.

“Duke qenë se gjendja në qytetin e Peshkopisë ka qenë pak e acaruar, edhe në spital ka pasur raste, një ndër të cilat ka qenë rasti i Afërdita Shehut. Ajo ka ardhur në orën 03:30 të natës. Ka qenë në gjendje të emocionuar pasi ka pasur një të afërm të arrestuar. Për shkak të kësaj gjendje, ajo është paraqitur në spital. Për fat aty ka qenë mjekja kardiologe, pasi e ka kontrolluar i ka bërë të gjitha analizat. Ka konstatuar se është një gjendje emocionale, pas arrestimit të një nga të afërmit të saj. Pasi i është bërë shiriti i zemrës, i janë bërë disa kontrolle të tjera të analizave, rezulton se ajo nuk ka pasur gjendje dhune. Ka qëndruar për një orë në spital, ku në spitalin rajonal të Peshkopisë, gjatë shërbimit 24 orë, janë dy mjek. Një është kirurg dhe një është patolog. Patjetër që po të kishte patur shenjë dhune, do të ishte dhe konsulta e kirurgut që do kishte përshkruar dhe gjendjen e dhunës. Në emër të transparencës së bluzave të bardha, u bëj apel faktorëve politikë që për kredo të tyre politike të mos abuzojnë me pacientët dhe të mos përhapin panik për gjëra të pandodhura”, shprehet mjeku Hajri Lusha.  

Skip to toolbar