Akademia e Arbitrimit, Duka fton vajzat të ndjekin kursin!

Akademia e Arbitrimit ka nisur edicionin e dytë të saj, duke krijuar mundësinë për përgatitjen e arbitrave të rinj. Edicioni i dytë i kësaj akademie ka nisur në Durrës, aty ku kursantët e rinj do të përgatiten në shkollën sportive “Benardina Qerraxhiu”. I pranishëm në hapjen e shkollës së arbitrimit kanë qenë Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka, anëtari i KE, njëkohësisht Presidenti i Shoqatës së Arbitrave, z.Tahir Kastrati, Drejtoresha e Shkollës znj. Alma Oshafi dhe Koordinatori i këtij projekti z.Sokol Jareci.

Në fjalën hapëse Jareci u shpreh: “Jemi për të promovuar edicionin e dytë të Akademisë së Arbitrimit pas një edicioni të parë të suksesshëm ku plot 70 djem e vajza u certifikuan. Duke parë suksesin e vitit të parë menduam ta zhvillonim sërisht.”-ishin fjalët e koordinatorit të projektit.

“Ju falenderoj për pjesëmarrjen dhe respekt për drejtoreshën e shkollës për mikpritjen dhe hapësirën për të zhvilluar një bisedë me nxënësit e kësaj shkolle. Mundësitë për tu bërë arbitre ose arbitër, nxënësit e “Benardina Qerraxhiu”, i kanë të mëdha nga fakti që është shkollë sportive.”-theksoi z.Tahir Kastrati.

Presidenti Armand Duka në fjalën e tij u shpreh: “Të bashkohesh me lojën e futbollit duhet ta konsiderosh privilegj, është një shans shumë i mirë, jo vetëm për të luajtur, por tani edhe nëpërmjet arbitrimit. Sport është edhe arbitrimi, është faktor shumë i rëndësishëm në futboll. Fizikisht është sport por mendërisht është më shumë se sport sepse do japësh drejtësi në fushën e lojës dhe të japësh drejtësi në fushën e lojës nuk është e lehtë”, ka thënë fillimisht Armand Duka.

Më tej në fjalën e tij, Armand Duka i ftoi vajzat dhe djemtë të ndjekin shkollën e arbitrimit dhe më pas për të pasur një karrierë të pasur. “Ne i ftojmë vajzat të merren me këtë sport apo profesion. E kemi filluar vjet këtë akademi, disa vite më parë ka qenë një trajnim spontan. Arbitrat duhet të edukohen shumë mirë pasi janë një faktor shumë i rëndësishëm për një ndeshje futbolli. Nga viti i parë kemi plot 70 arbitra të cilët kanë kaluar testet dhe aktualisht arbitrojnë. Në këtë edicion të dytë, uroj të mos kemi 70 arbitra por të dyfishohen apo të trefishohen”, ka thënë ndër të tjera Duka.

Skip to toolbar